E pabesueshme, edhe Brazili ngec në ndeshjen e parë (Video)

Ka qenë dita e surprizave të mëdha. Pas humbjes së Gjermanisë, ishte radha e Brazilit të mos fitonte ndeshjen e parë në grup, duke u ndalur në barazim 1-1 ndaj Zvicrës.

Philippe Coutinho ka kaluar Brazilin në avantazh në minutën e 20’ me një gol fantastik nga distanca. Lojtari i Barcelona-s ka lëshuar një predhë nga rreth 25 metra me topin që përfundon në trekëndëshin e djathtë.

Por pas golit Brazili e uli ritmin duke u munduar të kapë zviceranët në kundërsulm. Ekipi europian filloi të luante më lirshëm pas golit të pësuar dhe disa herë vë në vështirësi mbrojtjen e Selecao-s.

Pas pushimit Zvicra nuk e ul ritmin duke parë se me sa lehtësi e kishte marrë Brazili dhe arrin të barazojë rezultatin me një gol të dyshimtë pas goditjes së këndit.

Ishte Zuber ai që shtyn Miranda-n përpara se të godasë me kokë nga shumë pranë portës. Ndeshja bëhet e hapur pas golit të barazimit dhe të dyja skuadrat luajnë lojë të hapur.

Brazili arrin të krijojë disa mundësi, por bën shumë pasime të gabuara dhe as ndërrimet e Tite-s nuk japin efektin e duhur.