Etrit Berisha ndërron ekip në Serie A, sot vizitat mjekësore

Portieri i përfaqësueses shqiptare, Etrit Berisha, do të luajë në një ekip të ri në sezonin e ardhshëm.

Mediat italiane kanë bërë të ditur se pavarësisht paraqitjeve të tij shumë pozitive, Atalanta ka vendosur të shesë portierin shqiptar dhe brenda pak orësh është gjetur edhe sistemimi i tij, në një tjetër skuadër të Serie A.

Sipas të përditshmes “Secolo XIX” të qytetit të Genoa-s, portieri do të veshë fanellën e Sampdorias në sezonin e ardhshëm.

Akordi mes palëve është arritur dhe të gjithë duken të kënaqur me këtë zgjidhje që i garanton Sampdoria-s një portier të fortë pas largimit të Viviano-s, si dhe Berishës mundësinë e aktivizimit si titullar në një klub me emër.

Marrëveshja është arritur dhe vetëm vizitat mjekësore, të cilat do të kryhen sot, ndajnë palët nga firma në kontratë dhe zyrtarizimi i këtij transferimi.

Bashkë me Etrit Berishën, në Genoa presin edhe Valon Berishën, i cili do të transferohet në radhët e klubit italian nga Salzburg.