Historia e panjohur e piktorit bohem shqiptar

Me 3 shkurt të vitit 1926 lindi në Shkodër piktori i madh nga cilësitë dhe jo i vlerësuar sa duhet, Lin Delija. Me fëmijëri të kaluar në Shkodër, rini ndër akademitë e arteve në Jugosllavi e burrërinë në Itali, Lin Delija do të bëhej i paharrueshëm në kujtesën e çdo artdashësi shkodran dhe model për t’u ndjekur nga çdo piktor shqiptar.

Shpesh herë jeta e një artisti i përngjan një vepre artistike. Kështu edhe jeta e Lin Delisë duket si një libër, sot historik, në faqet e të cilit pasqyrohet Shqipëria komuniste nga ku dolën korbat që provuan t’i shkatërronin piktorit të madh çerdhen e krijimtarisë së tij. Në çdo vend të Italisë ku dora e tij shkundi mbi telajo penelin ngjyer në bojrat e artit italian, gjurmët e tij mbetën të pashlyeshme. Kështu, gjatë viteve që kaloi në Romë, ndihmoi në çeljen e Galerisë “Arte Sacra” në “Augustinianum”. Të njëjtën Galeri e çeli edhe në Firence bashkë me skultorin Mark Lukuliqi.

Vitet e mbetura të jetës vendosi t’i kalonte në qytezën piktoreske Antrodokos, ku edhe vdiq më 9 prill të vitit 1994. Edhe aty, sigurisht, çeli ekspozitën “Arte Scara – Gjoni XXIII” në vitin 1968. Disa vjet para vdekjes ia doli të themelonte “Academia delle Belle Arti – Carlo Cesi”, e cila degëzohej në studime akademike dhe studime praktike. Vlerësimet për të ishin të shumta, madje edhe vetë Papa Pali VI shpreh vlerësimet më të mëdha për të dhe veprën e tij.

Qyteza ishte e vogël e nuk vizitohej shpesh nga të huaj. Kështu, sa herë që banorët e atij vendi të këndshëm shihnin të huaj, pa i pyetur askush, thonin “Maestro Lini është në shtëpi, është në studio apo ka dalë”. Gëzonte respektin e kujtdo, aq sa filloi të njihej edhe si “Maestro i Atrodokos”.

Artisti i cili nuk u la të kthehej në atdhe, nuk e harroi atë. I pyetur nga miku i tij Lush Gjergji se sa të pranishme ishin figurat kombëtare në artin e tij, Lin Delija përgjigjet:

Ato janë të pranishme pothuaj gjithkund dhe tregojnë vuajtjet tona shekullore, fuqinë tonë shpirtërore e morale. Në këtë krijimtari i lë vend të posaçëm Gjergj Kastriotit dhe Nënës Terezë.

Ndërsa vetveten dhe fatin e tij në raport me popullin shqiptar e personifikon nëpërmjet një pikture ku, në një skutë, shfaqet një njeri i vetmuar në mes të një restoranti me njerëz të hareshëm për të cilën, i pyetur nga Lush Gjergji, thotë:

Të tjerët hanë, pinë, bisedojnë e argëtohen, e ne? Jemi si ky njeri i vetmuar, i zhytur në kujtime dhe përmallime. Para vetvetes ka një copë bukë të vjetër, dhe në vend të verës, një gotë gja. Edhe ajo buk e thatë hahet me gjak… dhe sytë iu mbushën me lot.

Dy ishin dashuritë e tij: për atdheun e për artin. E para ishte platonike. E dyta ishte kozmike. Historia e mëposhtme e tregon këtë:

Para disa ditësh erdhi një pasanik i këtij rrethi. E njihja që më herët. Qëndroi me mua për disa kohë. Sillej andej – këtej nëpër atelienë time… Pastaj më tha: “Më pëlqen kjo pikturë, maestro Delija”. Unë nuk i dhashë aq shumë rëndësi. Ai gjithnjë insistonte dhe së fundmi më pyeti: “Maestro, sa kushton kjo pikturë?”. Unë, pa menduar shumë, ia thashë një çmim të bukur e të lartë. Ai menjëherë ia hoqi takulinin dhe m’i numëroi liretat italiane. E mori pikturën dhe doli…

Unë mbeta i vetmuar. Shihja vendin e zbrazët të pikturës që kisha shitur. Më mungonte. Në mbrëmje shkova te blerësi. Kur më pa, u befasua. Më tha: “Urdhëro, Maestro! Çfarë nderi paskam sonte!”. Pas pak kohe, e pyeta “Ku e vendose pikturën që bleve sot te unë?”. Më tha: “Ja, këtu pas dere, sepse s’pata kohë për ta studiuar mirë vendin ku do ta vendosja.”Kjo përgjigje dhe sjellje më preku thellë në zemër. Isha tejet i pikëlluar. Mendova: “Eh, pasanikët! Mendojnë se mund të bëjnë çka të duan”.

 I zemëruar i thashë: “Ma kthe pikturën time dhe merri paratë e tua. “Pse, nëse janë pak, po shtoj edhe disa lireta të tjera!”, më tha. “Jo, jo! Ti më ke përbuzur mua kur ke përbuzur pikturën time…”

Dhe pas pak kohe, u detyrua të ma kthente pikturën e shitur… Unë ia ktheva paratë, dhe i lumtur e solla atë pikturë prapë në vendin e caktuar në studio, i qetë dhe i lumtur sikur të kisha gjetur një pjesë të jetës sime…”