Knut Fleckenstein në PE: T’i hapen negociatat Shqipërisë, ka bërë progres!

Kushtet për hapjen e negociatave të Shqipërisë me Bashkimin Europian janë plotësuar tashmë. Kështu është shprehur Raportuesi për Shqipërinë në Parlamentin Europian, Knut Fleckenstein.

Gjatë fjalës së tij në Parlamentin Europian, eurodeputeti Knut Fleckenstein, i ka bërë thirrje shteteve anëtare që të hapin negociatat me Tiranën zyrtare, duke theksuar përpara tyre se Shqipëria ka shënuar progres përsa i përket sundimit të ligjit dhe vendi po ecën në drejtimin e duhur, raportojnë mediet.

Apeli ndaj vendeve të unionit vjen pak ditë para vendimit të rëndësishëm që BE do të marrë nëse do të hapë apo jo negociatat e anëtarësimit të Shqipërisë.

“Në Shqipëri ka patur progres të qartë dhe çështjet sa i takon sundimit të ligjit po shkojnë në drejtimin e duhur dhe ndoshta edhe më mirë se në disa vende brenda Bashkimit Europian. Prandaj, ne duhet të hapim bisedimet e anëtarësimit me këtë vend”, apeloi ai në Parlamentin Europian.

Përsa i përket liberalizimit të vizave për Kosovën, Fleckenstein theksoi se “… të mos harrojmë që kriteret për liberalizimin e vizave janë plotësuar tashmë”.

Eurodeputeti gjerman kërkoi gjithashtu hapjen e negociatave me Maqedoninë dhe avancimin e tyre në kapitujt e tjerë për rastin e Serbisë apo edhe Malit të Zi duke nënvizuar se “… duhet të dërgojmë në Ballkanin Perëndimor një sinjal të qartë se cila është qasja jonë për këtë rajon.”