“Krejt devijimet shtetndërtuese të Kosovës duhen kërkuar te politikanët matrapazë”

Nga Fadil Maloku

Një fenomen, që pa dyshim është duke e përcjellë këmba-këmbës procesin shtetndërtimit të Kosovës, është edhe ai i teprisë së politizimit apo tendencës së “ngjyrimit”, të çdo gjëje që prodhoi në ndërkohë jeta sociale dhe ajo politike në “betejat” e konsolidimit të institucioneve shtetërore dhe ridefinimit të kauzave reja demokratike.

Kur flasim për politizimin, zakonisht mendja na shkon te perceptimi për humbjen e sensit dhe kohezionit tonë politik për të krijuar institucione kredibile, që po prodhon përveç sjelljeve të devijante (krim kulminant, anomi, konflikte ndërgrupore e brendainstitucionale, shtim të interesave klanore dhe zbehje të atyre publike, fatëpajtimi të çuditshëm dhe “gjumë dogmatik” të publikut, kur janë në pyetje interesat e përgjithshme qytetare) edhe konflikte e skandale me afera të matshme…

I gjithë ky proces i fillimit të vetëkërkimit të shkaqeve në rastin tonë kosovar, mund t’u adresohet shumë faktorëve: psh. shpërnguljes nga një zonë rurale në një zonë urbane, margjinalizimit të grupeve të caktuara, deprivimit social, krizës morale, anonimitetit…etj.

Por, në të njejtën kohë është evident edhe antipodi i këtij fenomeni, ai i apolitizmit. I cili sipas një gjykimi ende të paprerë sociologjik, është duke u bë edhe një ndër shkaqet e kësaj gjendjeje të tepruar të “ngjyrosjes” me indiferencën e tepruar ndaj veprimeve të partive tona politike, për kauzat kombëtare.

Perceptimi kësisojt qytetar që nënkupton jo gjithherë edhe qëndrimet e publikut të gjerë, ato të shoqërisë civile, e sidomos ca medieve mercenare, pa dyshim që ngjallë dyshime për shkallën e gatishmërisë së emancipimit tonë politik.

E themi kështu, edhe për shkak se perceptimet për dallim nga kërkimet empirike na çojnë gjithëherë në gjykime të gabuara për ndonjë fenomen apo dukuri që zhvillohet në shoqëritë e transicionit të vonuar, sikurse është Kosova.

Sipas kësaj logjike që më shumë na imponohet si perceptim, fitohet përshtypja që kujdestar kryesor për gjitha këto vonesa, e nëpërkëmbje të qarta të institucioneve tona sociale e politike, janë politikanët matrapaza që pushtetin e përdorën ekskluzivisht për interesat e veta personale, e klanore…, e jo për kauza nacionale dhe shtetndërtuese.