“Kur je Shkodran, Tana i Ban”/ Por ja çfarë duhet të bëni kur të vini në Shkodër!

Nëse akoma nuk keni qenë në Shkodër (vështirë të ketë shqiptar që nuk ka qenë në Shkodër) apo nëse keni në plan të vini, më lejoni që si një shkodran që e do dhe e njeh qytetin e tij, t’ju sugjeroj ku duhet të shkoni e çfarë duhet të shikoni.

Duke hyrë në Shkodër, pa asnjë diskutim, do të kaloni përbri “Kishës së Zojës”. Kisha, me histori qindra vjeçare është burim legjendash e mrekullishë të cilat janë trajtuar edhe në Konferencën Shkencore Ndërkombëtare “Zoja e Shkodrës, Drita e Shqypniës”. Kjo kishë është nëna e qytetit, rojtarja e tij dhe e gjithë Shqipërisë që prej disa shekujsh.

Aty mund të vizitoni kishën e rindërtuar pas vizitës historike të Shën Papa Gjon Palit II dhe mund të njiheni me historinë e kishës si dhe me legjendën e fugures së “Zojës së Shkodrës” e cila sot gjendet në Gjenacano të Italisë, pasi me ardhjen e hordhive osmane, engjëjt e morën në krahë dhe e larguan për ta siguruar. Vetë shën Nënë Tereza është lutur para asaj fugureje që të ketë mirësinë të kthehet sërish në Shqipëri.

Pastaj, pa asnjë dyshim, duhet të vizitoni edhe Kalanë e Rozafës. Legjenda e jashtëzakonshme e murimit të Rozafës për të forcuar muret e Kalasë do ju japë një ndjesi të rrallë e cila mund t’ju bëjë të ndiheni pak a shumë sikur jetoni në atë epokë kur legjenda është thurur.

Aty, përposë njohjes me legjendën, mund të vizitoni edhe Muzeun në të cilin ruhen disa objekte që kanë shërbyer për mbrojtjen e Kalasë gjatë pushtimit osman, ndonëse në fund Kalaja u mor.

Me marrjen e Kalasë, edhe objektet aty ndërruan fytyrë dhe identitet. Kështu, Kisha e Shën Shtjefnit u kthye në xhami dhe mori emrin e Sulltan Mehmet Fatihut (Pushtuesit). Akoma rrënojat e këtij objekti kulti qëndrojnë në këmbë dhe ju mund t’i vizitoni.

Ama, historia e Shkodrës nuk është vetëm kaq. Janë edhe ketër muze të tjerë të cilët duhen vizituar me patjetër.

I  pari është muzeu “Oso Kuka” në të cilin ndodhen objekte që nga parahistoria e deri në mesjetë.

I dyti është Muzeu Kombëtar i Fotografisë “Marubi” në të cilin mund të njiheni me historinë nëpërmjet fotografisë së shkrepur nga mjeshtrit e mëdhenj Pjetër dhe Kel Marubi.

I treti është Muezu Dioqezan i cili dëshmon më së miri vuajtet e katolikëve gjatë persekutimit pesëdhjetë vjeçar nga sistemi komunist me tentakula ateiste.

I katërti është “Vendi i Dëshmisë dhe i Kujtesës” i ndërtuar në ambientet e ish Degës së Brendshme ku shihet qartë ajo çfarë vuajti Shkodra nga persekutimi i kuq.

Prandaj, nëse dëshironi të nisni një tur nëpër Shqipëri, besoj se e kuptoni se duhet të filloni nga Shkodra!