Librat që nuk duhet t’i humbisni këtë verë

 

Për pushime të përkryera, duhen edhe disa libra që t’ju shoqërojnë. Ja çfarë duhet të dini për trendet botërore dhe për librat që nuk duhet t’i mungojnë në asnjë mënyrë valixhes tuaj të udhëtimit.

Kohë e mirë për blerje

Vera është periudha ku njerëzit blejnë më shumë dhe lexojnë më shumë libra. Sipas një sondazhi që kemi bërë në libraritë e kryeqytetit, në këtë stinë ka një fluks njerëzish që i drejtohen atyre për të marrë titujt e tyre të preferuar. Dhe në fakt, ajo që bije në sy është se nuk marrin një titull, por disa… Ndoshta për t’i lexuar deri në fund të verës.

Çfarë lexojnë europianët në verë

Klasikët e mëdhenj, lexime poshtë çadrës, larg vuajtjeve të vitit. Po çfarë lexojnë europianët gjatë verës? Klasifikimi vjen nga një kërkim, i realizuar nga “Opodo” (një nga faqet më të njohura të udhëtimeve) që intervistoi vizitorët e tij virtualë dhe më pas ndau për lexuesit ku shihen zakonet dhe tendencat verore të leximit. Italianët kanë renditur në krye të klasifikimit “The Great Gatsby”, francezët zbulohen si të pasionuar pas “gossip”, ndërsa anglezët gjithnjë e më shumë teknologjikë.

 

Italia dhe “l’amore”

Lexime aspak impenjative, lamtumirë politikë dhe aktualitet. Italianët (ri)zbulohen si romantikë të pashërueshëm. Rreth 50% e italianëve të intervistuar deklaruan se preferojnë të lexojnë romane, veçanërisht ata romantikë. Në krye të klasifikimit rendisin “The Great Gatsby” të F.S. Fitzegarld, i ndjekur nga “Inferno” i Dan Brown, “Fai bei sogni” i Massimo Gramellini e “Un covo di vipere” i Andrea Camilleri. Rreth 35% zgjodhën një guidë turistike për destinacionin që do të vizitonin. E dhëna e përbashkët e të gjithë lexuesve ishte se të gjithë preferonin librin në letër, vetëm 5% e lexonin në “eReader” dhe tablet.

Gjermanët dhe guidat turistike

Të nisesh, të zbulosh dhe të mos gjendesh asnjëherë i papërgatitur. Rreth 41% e lexuesve që janë nga Gjermania lexojnë për t’u informuar në lidhje me destinacionin ku do të kalojnë pushimet, ndërsa 71% nuk e ndan nga vetja guidën turistike. Motoja e të intervistuarve gjermanë duket se ka qenë një e vetme: “Të udhëtosh gjithmonë i informuar”.

Francezët dhe gossip-ët

Këtu udhëtarët ndahen mes “klasikëve” dhe “thashethemexhinjve à la française”. Rreth 46% e të intervistuarve francezë preferon një “bestseller” të letërsisë klasike ose një roman historik, ndërsa rreth 56% ndryshon “kurs” dhe deklaron se fshihet nën çadër me një revistë të tipit “gossip” ose “skandal”.

Anglezët dhe leximi digjital

Çmimi i udhëtarëve më të avancuar nga ana teknologjike u shkon padyshim anglezëve. Më shumë se gjysma e të intervistuarve deklaruan se i dedikohen informimit kulturor nëpërmjet “eReader” dhe tablet. Ata që e kanë zgjedhur si argument për mënyrën e të lexuarit përbëjnë 51%. Të tjerët ndahen mes leximit të romaneve, sagave të transformuara edhe në seriale televizivë. Rreth 58% e tyre deklarojnë se janë të pasionuar pas romaneve, ndërsa rreth 30% botën e fantashkencës, për shembull si ekranizimi i “Game of Thrones” i George R.R Martin.

 

Dhjetë librat më të mirë të të gjitha kohërave

  1. “Ana Karenina”: E shkruar gjatë viteve 1873-1877 nga shkrimtari i madh rus, Leon Tolstoi.
  2. “Zonja Bovari”: Është novela e parë e Gustav Floberit, të cilën ai e botoi në vitin 1857 dhe që konsiderohet prej shumë kritikëve si kryevepra e tij.
  3. “Lufta dhe Paqja”: Është një roman me katër vëllime, i botuar në vitin 1869 prej Leon Tolstoit. Ai është libri i tretë më i famshëm dhe i lexuar, sipas klasifikimit të revistës prestigjioze “Time”.
  4. “I madhi Getsbi”: Është romani stoli i epokës së xhazit, që pikturon një portret të paharrueshëm të ditëve të kaluara mes muzikës xhaz, xhinit, pakujdesisë dhe pasurisë së vënë lehtë. Ky roman është ndoshta legjenda më e madhe e kërkimit të “ëndrrës amerikane”, e shkruar ndonjëherë.
  5. “Lolita”: Një roman nga Vladimir Nabokov. “Lolita, drita e jetës sime, zjarri i trupit tim, mëkati dhe shpirti im”, kështu fillon kjo kryevepër e shquar ruse.
  6. “Middlemarch”: Një roman nga Xhorxh Eliot. Dorothea Brooke është një vajzë e re idealiste, të cilën dëshira për të përmirësuar botën e çon drejt një martese me pedantin e inatosur Kasaubon.
  7. “Aventurat e Hakëlberri Fin”: I shkruar nga Mark Tuein është romani i një fëmijërie të lumtur për të gjithë ata që e kanë lexuar në vegjëli.
  8. “Hamleti”: Është drama më e famshme e kohërave e shkruar prej dramaturgut të papërsëritshëm Uilliam Shekspir.
  9. “Novelat e Çehovit” u shkruan përgjatë viteve 1860-1904. Djali i një robi rus të liruar, Anton Çehov, u bë një doktor, i cili shpesh i kuronte pacientët pa pagesë dhe që më pas do të njihej si shpikësi i novelës ruse.
  10. “Në kërkim të kohës së humbur”, është një roman me shtatë vëllime i Marsel Prustit. Është puna e tij më e shquar e njohur si për gjatësinë e saj, ashtu edhe për kujtesën e pavullnetshme.