Marrëveshja për emrin e Maqedonisë, MEPJ: Është koha e zgjidhjeve madhore në rajon

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme ka reaguar pas nënshkrimit të marrëveshjes mes kryeministrit grek Aleksandër Cipras dhe atij maqedonas Zoran Zaev për çështjen e emrit të ri të Maqedonisë.

MEPJ ka përshëndetur nënshkrimin e marrëveshjes historike dhe shprehet se është koha e zgjidhjeve madhore në mbarë rajonin.

Deklarata e plotë:

Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Republikës së Shqipërisë përshëndet nënshkrimin sot në Psarades të marrëveshjes historike për emrin të arritur me 12 qershor mes Kryeministrave Tsipras dhe Zaev.

Nga Prespa piktoreske që bashkon tre popujt dhe vendet tona fqinjë, qytetarët e dy vendeve, të rajonit, përfaqësuesit e Bashkimit Evropian dhe Kombeve të Bashkuara, u bënë dëshmitarë të një faqeje të re të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimit me kah evropian.

Kjo është koha e zgjidhjeve madhore në mbarë rajonin tonë, bazuar në vullnetin e përbashkët për stabilizim përfundimtar të hapesirës ku gjendemi me synimin për ta bërë atë pjesë të pandarë të Bashkimit Evropian.

Inkurajojmë të dy vendet për përmbylljen e të gjithë hapave për hyrjen në fuqi të marrëveshjes.

Kjo marrëveshje i shërben miqësisë, prosperitetit e perspektivës evropiane të dy vendeve dhe qytetarëve të rajonit tonë.