Marvi Mihali u vra për një karikues/ Prindërit: Të kthehen në burg 2 bashkëpunëtorët

Gjykata ka ndryshuar masën për dy prej autorëve të vrasjes së 17-vjeçarit Marvi Mihali rreth një vit më parë për një karikues telefoni.

Në qeli aktualisht ndodhet vetëm Devi Bitraj i akuzuar si autori kryesor i vrasjes. Eugen Bitraj, Marsel dhe Kridens Alla u liruan në fillim të majit nga Gjykata e Tiranës konkretisht gjykatësit Sokol Pasho dhe Bedri Qorri për shkak se kishin mbaruar afatet e paraburgimit.

Kjo gjë solli irritimin e prindërve të viktimës. Pavllo dhe Mira Mihali kanë kallëzuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda, prokurorin Artan Lulaj, të cilin e akuzojnë se ka amnistuar autorët e krimit dhe dy gjykatësit Sokol Pasho e Bedri Qorri.

Pas padisë së prindërve, Prokuroria kërkoi ndryshimin e akuzës për tre të rinjtë e liruar nga “moskallëzim krimi” në “vrasje në bashkëpunim”. Po kështu edhe prokurori i çështjes u ndryshua pas ndërhyrjes së Kryeprokurores Arta Marku.