Minatorët heqin dorë nga greva e urisë: E pamundur të ngujohemi, është shumë vapë

Kreu i sindikatës së minatorëve, Fiqiri Xibri, ka njoftuar se minatorët janë tërhequr nga greva e paralajmëruar për shkak të vapës.

Megjithatë, Xibri pohoi për BW, se ata do  të qëndrojnë përpara kryeministrisë deri në momentin që do të ketë një prononcim nga ana e Ramës.

Ai gjithashtu tha se minatorët e sëmurë mund të largohen ose të rrinë në hije.

“Nuk kemi asnjë reagim tani nga qeveria. Ne do të qëndrojmë këtu deri në prononcimin e qeverisë. ‘Ne duam status sot, nuk duam status për mot’ është moto e protestës sonë. Kemi 5 vite me këtë qeveri dhe asgjë nuk është bërë.

Deri tani vendimi ynë është që do qëndrojmë këtu deri në prononcimin e kryeministrit. Thjesht duhet vullneti për të vënë vulën, për të thënë Po që kjo punë bëhet. Është kaq shumë vapë sa do kishte pasoja të rënda greva, me këto kushte nuk besoj se do bëjmë grevë. Të sëmurëve u thamë të largohen ose të rrinë në hije, ata që kanë mundësi të rrinë këtu”, tha Xibri.