Mjeku shqiptar ngre alarmin: Kujdes me orizin e gatuar tani në verë, rrezik për…

Me nisjen e sezonit të verës, mjeku infeksionist Tritan Kalo paralajmëron qytetarët të tregojnë tepër kujdes me ushqimet që konsumojnë.

Në një postim në profilin e tij në Facebook, mjeku ngre si shqetësim përdorimin e orizit tani në verë, ku specialistët e ushqimit thonë se përmban spore të Bacillus cereus-it, një bakter që mund të shkaktojë helmim nga ushqimi dhe që i mbijeton jo rrallë edhe temperaturës së gatimit.

Lexoni postimin e tij të plotë:

RIKUJTESË! Koha kur ORIZI konsumohet jo pak, si dhe gëzimet familjare ku ai shërbehet, janë të shumta në stinën e VERËS. Specialistët e ushqimit thonë se orizi i sapoblerë përmban spore të Bacillus cereus-it, një bakter që mund të shkaktojë helmim nga ushqimi dhe që i mbijeton jo rrallë edhe temperaturës së gatimit. Shenjat e sëmundjes fillojnë shpejt pak orë ose 10-16 orë pas konsumimit të tyre, të shoqëruara me dhimbje barku, shpesh shumë të forta, të përziera dhe të vjella e diarre e ujshme.

Është një mikroorganizëm rezistent ndaj shumë antibiotikëve, që përdoren në praktikën e përditshme klinike, si dhe mjaft dëmprurës deri në rrezikimin e jetës, sidomos të moshave të reja, duke dhënë në ta edhe për shkak të toksinës që ai prodhon Septicemi, Meningoencefalite deri në vdekje.

  1. cereus gjendet në oriz, patate, peshk, qumështin e pa pasterizuar, ëmbëlsirat, supë, djathi dhe produktet me bazë djathi, makarona, patate, në mishin e pulës, të derrit apo të lepurit.

Nëse orizi lihet në temperaturën e dhomës pasi është gatuar, sporet mund të kthehen në baktere, shumohen dhe mund të prodhojnë toksina që shkaktojnë të vjella dhe diarre. Sa më gjatë që të rrijë orizi i gatuar në temperaturën e dhomës, aq më i madh është rreziku i helmimit prej tij.

Ekspertët e ushqimit këshillojnë që orizi të konsumohet jo më vonë se 1 orë pas gatimit, dhe nëse nga vakti mbetet sërish, të vendoset menjëherë në frigorifer, për t’u ringrohur, por jo më vonë se pas 24 orësh. Asnjëherë mos e rinxehni orizin më shumë se një herë.

KUJDES gjatë gatimit, shërbimit dhe ruajtjes së produkteve ushqimore në këtë stinë, SIDOMOS me orizin e gatuar.