Një histori e parrëfyer me Klintonin, ish-kryeministrin italian D’Alema, Kukësin dhe Ibrahim Rugovën, shpëtuar 19 vjet më parë! (Foto ekskluzive)

Nëntëmbëdhjetë vjet më pas vendimit të rëndësishëm të NATO-s për të bombarduar Serbinë, ish kryeministri italian Massimo D’Alema u gjend në Kosovë, aty ku ka qenë edhe skena kryesore e zhvillimeve të thuajse dy dekadave më parë, si mik në shtëpinë e familjes Rugova.

Ai është një nga figurat kryesore të së majtës në Itali, prej 30 vjetësh në arenën e politikës italiane, një udhëheqës që ka përcaktuar politikën italiane në vitet 1990-2000. Massimo D’Alema ka qenë një protagonist i politikës italiane që përpara 30 vitesh e kam ndjekur si student, e kam takuar 19 vjet më parë si zyrtar i shtetit shqiptar gjatë konfliktit të Kosovës, dhe  sot isha me të si gazetar: këto tre kohë e bwjnw intriguese një burrështetas kyç  si ai në zhvillimet dinamike të asaj dekade.

Sot ai u kthye në Kosovë, 19 vjet më pas luftës së Kosovës. Aktualisht ai ngjan në periferi të politikës italiane, por nisur nga përvoja e tij e madhe në role të dorës së parë: 3 vjet si kryeministër, 3 vjet si ministër i jashtëm dhe zv/kryeministër, përfaqsues i politikës së lartë të një vendi me ndikim në pellgjet e politikës botërore si Afrika, Vendet e Lindjes së Mesme dhe shumë vende të tjera me të cilat historia i ka diktuar një marrëdhënie influente, D’Alema mbetet gjithmonë një figurë interesante dhe e paparashikueshme.

Takimi i parë në prill 1999

Kam pasur rastin ta takoja z.D’Alema 19 vite më parë, pikërisht gjatë Luftës në Kosovë, kur vendi fqinjë me ne ishte në luftë me Serbinë së bashku me vendet e tjera të NATO-s. Italia ishte në një rol sigurisht më të veçantë sepse ishte vendi nga ku niseshin sulmet ajrore kundër makinës ushtarake serbe.  Siç e ka pohuar edhe vetë D’Alema në një intervistë të marrë nga unë, Italia me këmbënguljen e saj kërkoi që të merrte pjesë jo thjesht si aeroplanmbajtëse, por të ishte një pjesëmarrje cilësore: bombardim i caqeve ushtarake.

Një vendim që kishte peshë, pasi Italia në këtë mënyrë zgjodhi të godiste me një bombardim ajror, një shtet sovran  sikurse ishte Jugosllavia e asaj kohe. Një vendim të cilin Italia e kishte marrë për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore. Në këtë aksion ushtarak të udhëhequr nga amerikanët, Italia bombardoi vetëm vend-qëndrimet ushtarake, dhe jo në zonat civile dhe duhet kujtuar se në zonat civile përfshihej dhe rezidenca e Milosheviçit, ndërtesa e radio-televizionit serb, ndërtesa e Fiatit, një bashkëpunim i hershëm i Zastavës me Fiatin italian.

Në prill të vitit 1999, kur Presidenti Meidani e takoi D’Alemën, (unë isha në takimin e tyre si këshilltar i presidentit) politikani italian ndodhej në presion të madh për shkak se komunistët paralajmëronin se do të tërhiqeshin nga qeveria e udhëhequr prej tij. Nga ana tjetër ishin amerikanët të cilët donin që Italia të ishte më aktive në bombardime dhe të merrte më shumë kompetenca përse jo dhe në gjetjen e paqes. Në këto kushte Italia, dera e fundit e negociatave të perëndimit me Serbinë, ishte duke eksploruar të gjitha alternativat, përfshi dhe ndarjen e Kosovës.

Një hipotezë që diskutohet shumë edhe sot, në të ashtuquajturat negociata Serbi-Kosovë, ndonëse në një formë më të përparuar: shkëmbim territoresh. Asokohe D’Alema e vizitoi Kukësin me helikopter, për të takuar refugjatët në kampet e ngritura në bashkëpunim me Shqipërinë, si një vend perëndimor i vijës së parë në pritjen e refugjatëve, por dhe inkurajuar organizatat e shoqërisë civile italiane. Sëbashku të dyja vendet tona luajtën një rol kyç në dhënien e ndihmës.  Presidenti Meidani asokohe e hodhi poshtë idenë test të politikës së jashtme italiane, e cila mbeti pjesë e frontit të NATO-s, edhe me mbështetjen e opozitës së Berluskonit, me të cilin D’Alema mbetet mik dhe sot.

19 vjet më pas

19 vite më pas, D’Alema udhëton me makinë drejt Kosovës si mysafir i institucioneve kosovare dhe unë isha bashkëudhëtar i tij në këtë rrugëtim që duket se ngjalli mjaft mbresa tek ai. Veçanërisht Rruga e Kombit, me peisazhe të bukura natyrore, gjithçka që ai e ndau me bashkëshorten e tij përmes telefonit, pasi ajo nuk ishte e pranishme në këtë udhëtim.  Ne bëmë një bisedë video shumë sugjestive, dhe ai ishte brenda stilit të tij të intervistave helmuese, siç e quajnë bashkëkohësit e jetës politike italiane, për atë çka kishte ndodhur në vitin 1999, por edhe cfarë po ndodh tani, kur dy forcat diametralisht të kundërta kanë krijuar qeverinë italiane, duke vënë një bast të vështirë, të cilit thonë se i dihet fundi.

Në Kosovë, D’Alema pati takime me disa nga përfaqësuesit e institucioneve të Kosovës, por më impresionanti ishte takimi me familjen Rugova që unë e konceptova pikërisht duke patur parasysh pikëtakimin e tyre në histori. D’Alema pati mundësi të shikonte monumentin e Ibrahim Rugovës në qendër të Prishtinës: përshtypja e tij ishte e konsiderueshme, aq sa ndau me të shoqen foto prej këtij monumenti duke marrë përgjigjen: sa goditëse është të shohësh të ngurtësuar në monument njeriun të cilin kishin pasur mundësi ta njihnin nga afër për së gjalli. Familja Rugova ishte pritur në shtëpinë e D’Alemës në vitin 1999 kur Italia u ekspozua në një operacion që nuk kishte karakter humanitar por edhe karakter politik: nxjerrjen e tyre nga arresti shtëpiak në Prishtinë. Ndaj dhe familja Rugova e priti 19 vite më pas me emocion njeriun që  i kishte shpëtuar.

D’Alema u angazhua në vetë të parë për shpëtimin e kësaj familje, duke vendosur në krye të negociatave me Millosheviçin ministrin e tij të jashtëm Lamberto Dini, një figurë e së djathtës, i kritikuar në Shqipëri për afërsinë e tij me politikën serbe. Kur negociatat kishin ngecur, u përfshi dhe  vetë ai, duke mundësuar çlirimin e familjes Rugova nga arresti shtëpiak dhe sjelljen e tij në Itali me një avion të shërbimeve sekrete italiane. Gjatë kësaj kohe, kur në shtëpinë ku Rugova mbahej i burgosur, vetëm njëra sallë ishte e lejuar për familjen, gjithë pjesa tjetër ishte e mbushur me policë serbë, të cilët e mbanin të rrethuar atë bashkë me një gazetare të Der Spiegel-it, Renate Flotau-kujtoi djali më i vogël i presidentit historik të Kosovës. Në takimin shumë emocional, D’Alema tregoi takimet dhe bisedat e gjata me Ibrahim Rugovën, i cili sipas tij “ngjasonte më shumë me një intelektual francez me atë fregjishten e tij të sofistikuar dhe jo si lider ballkanik”. Në rikthimin në kohë të të gjithëve, pra dhe meje, Rugova ishte një figurë që mund t’i jepte një kahje tjetër vijimit të luftës: D’Alema shpjegoi se cili mund të kishte qenë roli pozitiv ose negativ i Rugovës me çlirimin e tij nga arresti shtëpiak.

Në kohën kur figura më identifikuese botërisht e Kosovës, Rugova ishte shprehur për një zgjidhje paqësore, gjendej në arrest shtëpiak, dhe kjo ishte një deklaratë problematike në një kohë kur bombardimi kishte arritur kulmin dhe SHBA-të që drejtonin koalicionin sulmues   ishin të interesuar që fronti perëndimor të mbetej i bashkuar në këtë sulm. Italia kishte një rol të rëndësishëm si vendi strehues i avionëve ushtarakë ndërkohë që kishte një qeveri e cila mund të rrëzohej për shkak të rezistencës së komunistëve, kundër një ndërhyrje të fortë amerikane. Kjo deklaratë po shfrytëzohej preja tyre që donin ndaljen e bombardimeve. Nëse Rugova do të dilte prej arrestit shtëpiak dhe do bënte publik sërish një qëndrim kundër bombardimeve, kjo do krijonte një çarje të madhe në koalicionin e NATO-s dhe vetë Italia do rezultonte si kontributore e tërthortë e kësaj frakture. Ky ishte shqetësimi i amerikanëve, për pasojë dhe i italianëve, i D’Alems, shqetësimin të cilin e mbaj mend në 19 vite edhe unë si dëshmimtar i vetëdijshëm i asaj kohe. Shqipëria asokohe ishte e përfshirë në këtë konflikt si vend i vijës së parë dhe në atë kohë kur Rugova bëri thirrje për një zgjidhje paqësore dhe për një qeveri më bazë të gjerë, SHBA dhe vendet e tjera të Perëndimit i kërkuan Shqipërisë përmes kanaleve diplomatike që të distancohej nga deklaratat e Rugovës. Për pasojë nga kampet e refugjatëve në Maqedoni u thirr nënkryetari i LDK-së, i cili u distancua nga ky qëndrim.

Një detaj shumë interesant: Klintoni e thirri në telefon D’Alemën pikërisht kur Rugova mbërriti në Romë: falemnderit, ti kishe të drejtë!

D’Alema 19 vjet më vonë e konfirmoi se qëndrimi i Rugovës ishte i mbajtur nën presion, paçka se ngjante si vijim i një qasje pacifiste të kahhershme të Rugovës. Ai vetë e përgënjeshtroi këtë qëndrim në kushtet e lirisë, duke i përgëzuar amerikanët për këtë nisëm: deklarata e parë e Rugovës sapo u lirua ishte për vazhdimin e bombardimeve të NATO-s.

D’Alema kujton se ishte tek dentisti kur e mori në telefon Bill Clinton dhe i dha të drejtë për faktin se Rugova e kishte mbështetur ndërhyrjen perëndimore. Këto pohime që D’Alema i ndau me familjarët e Rugovës, u pritën me shumë emocion dhe nostalgji. Bashkëshortja e Rugovës tha se “Presidenti” – sikurse ajo i drejtohej, edhe vite më parë-  ishte shprehur pro nevojës së ndërhyrjes së NATO-s si një faktor ekuilibrues dhe paqësuese midis serbëve dhe shqiptarëve, dhe nuk kishte si të ishte kundër NATO-s, kur populli i Kosovës rrezikonte të zhdukej.“

Ky ballafaqim ishte interesant për të zbuluar përjetimet e një burri shteti si Massimo D’Alema mbi një ngjarje me sfond njerëzor dhe politik si çlirimi i familjes Rugova të marrë peng nga serbët. Familjarët e tij tregonin sesi shteti italian, institucionet kujdeseshin për jetën e Ibrahim Rugovës, aq shumë sa edhe i siguronin akullore… Kur u kthye në Prishtinë, Rugovës i ishte çelur dhe fytyra saqë në opinionin publik qarkullonte miti se italianët i kishin ndërruar edhe gjakun…kujtoi njeri prej tyre.

Në vend të epilogut

D’Alema dje dhe sot është një figurë që reflekton dualizmin klasik të politikës së jashtme italiane ndaj rajonit. Italia është përpjekur të mbajë marrëdhënie të mira me dy popujt numerikisht më të mëdhenj në Ballkan sikurse janë shqiptarët dhe sllavët. Në këtë drejtim, D’Alema ka ende çfarë t’i japë Kosovës ku u kthye shumë vite më pas. Ai sot vepron si konsulent për BAshkimin Europian, pjesë e ekipit negociator të marrëveshjes bërthamore me Iranin, si konsulent i qeverisë kineze, etj. Ndaj sot kur diskutohet për negociatat midis dy vendeve,  eksperienca e tij vlen të shëndrrohet në një kontribut të mirë për paqen.