Një javë larg provimeve me zgjedhje, ja çfarë duhet të dini…

Pas provimeve të detyrueshme të Maturës Shtetërore, ato të gjuhës dhe letërsisë shqipe si dhe asaj të matematikës, numërimi mbrapsht nis për maturantët që do t’i nënshtrohen pas një jave provimeve të lëndëve me zgjedhje. Për maturantët është me rëndësi që të jenë sa më të qetë dhe të përgatitur për të dhënë maksimumin në këto dy provime që zhvillohen në një ditë. Sipas sistemit të maturës, pikët që merren në lëndët me zgjedhje janë thelbësore për vazhdimin e studimeve të larta, ndaj dhe niveli i përqëndrimit duhet të jetë më i madh.

Psikologët rekomandojnë për maturantët një seri këshillash të vyera të neuroshkencës që nëse ndiqen gjatë studimit një javë larg provimeve do t’ju ndihmojnë të keni rendiment të lartë në ditën e testimit. Është e dëshmuar tashmë se një dietë e përshtatshme si dhe stërvitje fizike mund të përmirësojë ndjeshëm ndërlidhjen e neuroneve me njëri-tjetrin duke përmirësuar ndjeshëm kapacitetin e arsyetimit dhe kujtesës tek kushdo që i vë ato në zbatim. Por këshilltat nuk mbarojnë me kaq. Ja çfarë duhet të dini tjetër…

1- Të ushtroni 5 shqisat: Për të fuqizuar kapacitetin e nxënies, do të duhet të stërvisni trurin. Pa shumë lodhje do të duhet që ju të ushtroni 5 shqisat. Shqisa e shikimit është ajo që shfrytëzohet pasivisht gjatë leximit. Një ushtrim që sugjerohet për stërvitjen e kësaj shqise është të bëni dush me sy mbyllur.

2- Të shtriheni për të fjetur herët. Gjumi ka rol kryesor në memorizimin e informacionit që keni mësuar gjatë ditës. Ekziston një lidhje e dëshmuar shkencërisht se me pak orë gjumë nga sa është e nevojshme (7-8 orë) kujtesa bie shumë shpejt, kapaciteti i gjykimit, kreativiteti dhe shkalla e përqëndrimit janë po ashtu të ulëta.

3- Mos përsërisni më mësimet deri në momentin kur do paraqiteni në provim. Dyzet e tetë orë përpara ditës së provimit duhet që të ndaloni studimin. Trurit i duhen disa ditë për të ripunuar informacionet dhe për t’i organizuar ato në kujtesën afatgjatë.

4- Mos përdorni substance “alternative”. Shmangni mbipërdorimin e kafes që vetëm sa do t’iu shtojë ndjesinë e ankthit dhe shqetësimit, duke iu prishur gjumin.

5- Black Out? Mos u panikoni! Nëse ditën e provimit iu duket se nuk mbani mend asgjë, mos u shqetësoni. Do t’iu kujtohen të gjitha gradualisht. Është vetëm ngarkesa emocionale që krijon përshtypjen sikur kujtesa juaj është dëmtuar.

6- Jepini kohë kujtesës! Procesi i kujtesës është një katalogizim i vazhdueshëm i informacionit. Është provuar shkencërisht se ata që zgjedhin të flenë një ditë përpara provimit kanë rendiment më të lartë sesa ata që përsëirisin mësimin deri në orët e para të mëngjesit pa fjetur gjatë natës.

7- Bëni sa më shumë sport! Truri punon më mirë nëse ruajmë një formë të mirë fizike. Kush bën një ecje me hap të shpejtë për 30 minuta “humb” më pak neurone.

8- Kujdes me dietën. Ushqimi ndihmon direkt në aktivitetin e trurit. Omega-3 e pranishme tek disa lloje peshqish sikurse trofta, sardelet dhe salmoni së bashku me vitaminën E janë në përgjithësi elementë të mirë ushqyes që stimulojnë aktivitetin e trurit.