Një shans tjetër për Mavrajn te Hamburg, e duan në ekip

Duket se ardhmja e Mërgim Mavrajt po merr një kthesë. Kur ai shikohej larg ekipit dhe larg Gjermanisë, madje me një ofertë konkrete nga Arabia Saudite, gjërat kanë lëvizur për mirë te Hamburg.

Hamburgu ra por herë të parë në historinë e tij nga Bundesliga pas një sezoni me shumë probleme. Skuadra nuk mundi të arrinte rezultatet e duhura dhe shpesh ndaj lojtarëve të saj janë marrë masa, siç ndodhi në rastin e Mavrajt, i cili kaloi tek ekipi i dytë kohët e fundit.

Por duket se situata ka ndryshuar tashmë. Hamburg ka marrë një drejtor të ri sportiv, Ralf Becher, i cili, bashkë me trajnerin Christian Titz, po planifikon skuadrën e sezonit të ardhshëm. Dhe në planet e tyre është edhe Mavraj, të cilit do t’i jepet një shans i dytë.

“Ne po punojmë me lojtarët që janë nën kontratë. Dua të them se do të ketë një mundësi për Uollas dhe Mërgim Mavrajn, të cilët u dërguan në ekipin e dytë kohët e fundit.

Të dy kanë kontratë me Hamburg. Po e shohim situatën me shumë kujdes dhe këta lojtarë meritojnë një shans të dytë”, – tha Becher.

Kështu, mbrojtësi me përvojë i kombëtares kuqezi ka rastin të tregojë se vlen dhe të vazhdojë të luajë për Hamburg në Bundesligën 2, ku në fakt, ka luajtur vite më parë me Furth.