Notis Sfakianakis, urrejtje- dashuria e grekëve për shqiptarët

Para disa ditësh në Tiranë u zhvillua koncerti i një ikone të muzikës greke, Notis Sfakianakis. I paaaftë të kuptoj disa prirje që u shfaqën me rastin e këtij koncerti, thirra në ndihmë dy kolegë me idetë e tyre për temën.

Gazmend Kapllani, një nga figurat e ndritshme të diasporës shqiptare në Greqi, i zhvendosur tanimë në SHBA, ku zhvillon veprimtari pedagogjike, paradokohe shprehte vlerësime nënçmuese për Sfakianakis dhe valën e madhe të interesit që ai krijoi tek publiku shqiptar, ndonëse zhanri muzikor që lëvron këngëtari grek është muzikë për masën, një lloj muzike tallava.

Madje këngëtari grek nuk është vetëm ikonë e masës popullore që e pëlqen krijmtarinë e tij, por edhe ikonë e “Agimit të Artë”, partisë neofashiste greke: Sfakianakis nuk ka ngurruar të shprehë hapur edhe mbështetjen e tij për ideologjinë e kësaj force politike fort të kontestuar, qoftë nëpërmjet gjesteve, por edhe nëpërmjet organizimit të koncerteve të posaçme për “Agimin e Artë”, ku është shprehur se raca greke është racë superiore. Besohet ndërkaq se Sfakianakis ka thënë edhe konsiderata fyese për shqiptarët, duke i cilësuar si racë inferiore, etj., etj.  Autenticiteti i këtyre thënieve është konfirmuar nga një gazetar i pakontestueshëm si Aleksandër Çipa, i cili sugjeroi që koncerti i Notis të bojkotohej, për më tepër kur biletat për këtë koncert shkonin nga 100 deri në 200 euro. Gazmend Kapllani ndërkaq shprehej me të drejtë se është e çuditshme se si në Shqipëri mund të paguhet kaq shumë Sfakianakis kur në Greqi biletat për një koncert të Notis Sfakianakis nuk shkojnë më shumë se 50 euro.

Por a i ka thënë vërtet Notis Sfakianakis këto deklarata?

Aleksandër Çipa iu përgjigj kësaj pyetjeje duke publikuar edhe një link me audio-video, ku këngëtari grek supozohej se kishte thënë vlerësime të tilla për shqiptarët. Por i njëjti këngëtar, para koncertit që mbajti, foli në mënyrë superiore për shqiptarët, duke e cilësuar Shqipërinë si Iliri, emërtimi historik që tregon autoktoninë e shqiptarëve në këto vise. Çfarë ka ndryshuar atëherë tek Notis Sfakianakis? Për t’iu përgjigjur kësaj pyetjeje do të duhej që shqiptarët të bënin një refleksion brenda vedit: si kemi ndryshuar ne gjatë këtyre afro 30 viteve? Si kanë ndryshuar shqiptarët e Greqisë dhe Italisë?

Është i mirëqenë fakti se shqiptarët që zbarkuan në fillimvitet ’90 në Greqi kanë krijuar probleme në shoqërinë greke për shkak të diferencave ekonomike, kulturore, urbane, politike dhe vështirësive për integrimin e tyre. Ashtu siç përshkruhen nga shtypi i kohës edhe emigrantët shqiptarë në Itali, këto vështirësi lehtësuan me veprimet e tyre krijimin e steriotipeve negative në popull. Jo pak herë, edhe në popullin italian kanë dominuar stigma si “popullsi inferiore” krahasimisht me popullsinë e vendit pritës.

Për koincidencë,  takova këto ditë profesorin arbëresh Mateo Mandala, i cili, në kuadër të një konference për Skëndërbeun, kishte qëmtuar dokumentet italiane të kohës për problemet që kishin arbëreshët në momentin e parë të vendosjes së tyre në Itali në shek.XV pas vdekjes së Skënderbeut. Në këto dokumente, arbëreshët përkufizoheshin si kusarë, trafikantë prostitutash (paralele historike shumë interesante), njerëz që vrisnin, por në 200 vitet e mëpasme ata mbajtën në këmbë ekonominë bujqësore të Italisë së jugut.

Nëse transplantojmë këto paralele historike, në realitetin e shqiptarëve të Greqisë apo Italisë, do të vëmë re se në këto 27 vjet shqiptarët kanë realizuar një transformim të madh të vetvetes; janë shndërruar në bujq të mirë, në sipërmarrës të suksesshëm, në talente të mirënjohura të artit. Sikurse këngëtarja greko-shqiptare Eleni Foureira,  e cila përfaqësoi denjësisht pjesën greke të Qipros në Festivalin e Eurovizionit, duke u renditur në një pozicion dinjitoz në 5 këngët më të mira të natës finale. Ndërsa dje, këngëtari italo-shqiptar Ermal Meta mbajti një koncert në Tiranë. Çdo shembull që merret është dëshmi e faktit se përfytyrimi kolektv i italianëve dhe grekëve për shqiptarët ka ndryshuar, dhe ky është bërë me prova reale të transformimit të shqiptarëve në individë të suksesshëm brenda shoqërisë pritëse, madje dhe shembuj udhërrëfyes për rininë dhe kombet ku janë instaluar.

Noti Sfakianakis, sikurse e cilësojnë njohësit më të mirë të realitetit grek, është përfaqësues i vulgut (mentalitetit popullor)- ndaj dhe nuk është çudi që ai të ketë përdorur ato fjalë për shqiptarët e paintegruar të fillimviteve ’90. Por po kaq normale është që Notis Sfakianakis të ndryshojë qëndrim pasi ndodhet përballë një realiteti tjetër të shqiptarëve, të cilët me kalimin e viteve po ashtu kanë ndryshuar. Nuk është vetëm ai që ka ndryshuar, pra, por dhe krejt shoqëria greke. Për më shumë, shqiptarët shkojnë tanimë në Itali dhe Greqi si turistë, si sipërmarrës, si sportistë, diçka që ka provokuar akoma më shumë ndryshim të perceptimit publik për shqiptarët. Nëse deri dje shqiptarët mundoheshin ta fshehnin identitetin e tyre për shkak të rrethanave të sipërpërmendura, tashmë ata e afirmojnë atë haptazi, si rrjedhojë e përmirësimit të ndjeshëm të imazhit të shqiptarëve në botë.

Notis Sfakinakis mund t’i ketë thënë ato pohime nënçmuese, i ka artikuluar në mënyre impulsive, si një artist që performon për atë lloj publiku që e ndjek, por si përfaqësues i vulgut ai tashmë mund të jetë bindur që shqiptarët janë të mirë. Në një kontekst të ri të vendit që i priti, ai ka ndryshuar, grekët kanë ndryshuar, madje dhe marrëdhëniet ndërshtetërore janë duke ndryshuar. Shqiptarët janë duke u shëndrruar në segmente dominuese edhe në ekonominë dhe kulturën e vendit të tij, ndaj në këtë kuptim Notis Sfakianakis është një grek i vërtetë : edhe kur i ka sharë shqiptarët dhe tani kur i lavdëron ata.