“Nuk provokova maqedonasit, të gjithë e dinë që Kumanova është Shqipëri”

Taulant Seferi ka debutuar në mënyrën më të mirë të mundshme me shiritin e kapitenit me Shpresat e Shqipërisë, teksa këto të fundit u rikthyen te fitorja në ndeshjen e parë ndaj Bjellorusisë, pas një serie rezultatesh negative.

Padyshim që Seferi ishte një nga futbollistët më të dalluar në fushën e lojës, ndërsa menjëherë pas ndeshjes, ai postoi një foto që shkaktoi shumë polemika pasi tha: “Kumanova është Shqipëri”.

Në një intervistë për “Lajmi TV”, mesfushori shqiptar është shprehur se nuk ka dëshiruar fyerjen e maqedonasve, por ai ishte mendimi i tij.

“Me Bjellorusinë kemi bërë dy ndeshje shumë të bukura dhe kjo gjeneratë e 1999 ka kualitete shumë të mira. Kemi merituar fitoren në të dyja takimet me Bjellorusinë, por e rëndësishme është që kemi dalë me fitore në një prej tyre.

Kam ndjerë emocione, pasi kam pasur emocione të mëdha duke mbajtur shiritin e kapitenit të Shpresave. Për mua ishte një nder dhe krenari.

Nuk e kisha pritur, u nisëm prej hotelit në stadium dhe kur pashë shiritin te garderoba ime u befasova shumë.

Kur e bëra foton me fanellën e Shqipërisë, duke thënë se Kumanova është Shqipëri, nuk e kisha qëllimin për të prekur maqedonasit.

Megjithatë ai është mendimi imi dhe i çdokujt që e ndien veten shqiptar. Nuk doja të provokoja maqedonasit, pasi kam luajtur aty, por dua të theksoj edhe njëherë se ky është mendimi i të gjithë shqiptarëve.

Kam parë fyerjet e maqedonasve pas këtij veprimi të bërë nga ana ime, por nuk më interesojnë ato, dua të eci përpara. Tashmë ëndrra ime është që të thirrem nga Panucci sa më shpejt, do të vë shpirtin në fushë me Kombëtaren” – u shpreh Taulant Seferi.