PDIU reagon pas largimit të dy deputeteve tek PS

Pas largimit të dy deputeteve, Reme Lala dhe Elena Xhina, ka reaguar Partia Drejtësi Integrim dhe Unitet.

Në një deklaratë në faqen e PDIU në Facebook, thuhet se kandidatet janë deklaruar me PS-në që në përfundim të zgjedhjeve dhe se kjo gjë nuk sjell asnjë ndryshim në veprimtarinë politike të kësaj force për çështjen çame.

“Lajmet e vjetra që sot shiten si të reja, për individë që kanë qenë thjesht kandidatë të PDIU-së, sepse janë deklaruar me PS-në qysh në përfundim të zgjedhjeve, nuk sjellin asnjë ndryshim në veprimtarinë tonë politike për zgjidhjen e çështjes Çame. Çështja Çame na bashkon dhe na ndan me këdo … si një kauzë jo vetëm e jona, po e çdo shqiptari brenda dhe jashtë kufijve”, thuhet në reagim.

Deputetja që fitoi mandatin me PDIU-në Reme Lala, deklaroi sot nga aktiviteti i kryeministrit Edi Rama në Peshkopi se do bashkohej “me më të mirën” që sipas saj është PS-ja, duke folur edhe në emër të koleges së saj Elena Xhina.