Poezia e të parit poet shqiptar

E bukur, e qetë, e shenjta jetë

Jetë që gjallëron mes pyjeve të gjelbëra.

Pak a shumë, ndër këto dy vargje mund të përceptohet e gjithë poezia e Tomeot, e përmbledhur në dy vëllime poetike: “Ankimet e të dashuruarit” dhe “Poezi të ndryshme”. Ndër to, përherë është e pranishme ajo rryma në të cilën notoi gjithë poezia e humanizmit, ku dallon pranishmëria e pamjes meditative.

Meditimi i Tomeot buron nga përceptimi i gjërave të përditshme, veçanërisht marrëdhëniet e njeriut me natyrën dhe me vlerat e botës që e rrethon.

Poezia e tij është e mbuluar nga një tis estetik, si duket i fituar nga leximi dhe studimi i Aristotelit. Me këtë tis ndërthuret ajo filozofia e tij, sigurisht e ndikuar shumë nga filozofia aristoteliane.

Toemo e himnizon jetën në një mënyrë të veçantë. Ai shpreh adhurim për jetën e zakonshme tokësore. Por, ndryshe nga sa mund të jetë impakti që vjen prej këtij konstatimi, përceptimi dhe arsyetimi i tij nuk është aspak sipërfaqësor. Ai synon të hyjë me penën e tij në pështjellimet misterioze ku fati mund të të hedhë.

Në përfytyrimin e tij poetik, fati është endje e një pëlhure, vdekja një shul, ndërsa jeta ajo që shtjellon e në fund ka fuqinë të këpusë pëlhurën.

Lirika e Toemot është filozofike, meditative e pastorale. Ajo kthehet në një himn për bukuritë e natyrës dhe madhështitë e veprës së Zotit, atij që e krijon.

Për kohën, mendimi i tij poetik është mjaft i hapur aq sa, pa frikë, mund të quhet edhe modern. Madje, është e çuditshme, se si mund të jetë e tillë një poezi e shkruar nga një autor me ndikim greko – romak.

Por nuk duhet të çuditemi. Nikollë Tomeo është ai i cili thyen çdo kufi të vendosur nga ajo grimcë histori që ekziston akoma edhe sot prej asaj periudhe.