Rama mesazh kundërshtarëve të Velierës: Do vini me gjyslykë e kapele si diversantë për ta vizituar

Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm ditën e sotme në qytetin e Durrësit ku prezantoi projektet për qytetin.

“Veliera është një nga ato lëvizje që transformom jo vetëm një zonë, por një qytet të tërë, shpresoj që maskarada të mbarojë dhe vitin e ardhshëm ta kemi gati. Turp i atyre që e kanë orkestruar po ashtu dhe ata që janë bërë palë me ata. Do vini me gjyslykë e kapele si diversantë për ta vizituar. Se kështu bënë edhe me parkun e lodrave në liqenin artificial të Tiranës. Kështu bënë edhe me qendrën e Tiranës, po ashtu edhe me stadiumin kombëtar.

T’i orientojmë të rejat e të rinjtë sa më shumë drejt arsimit profesional. Mund të bëhen gjatë rrugës edhe sipërmarrës të vegjël edhe sipërmarrës të mëdhenj.

Pagat e ulëta në Shqipëri janë ende shumë të ulëta, por nuk është vetëm këtu, por në të gjithë rajonin, lidhet me kapacitetin e burimeve tona njerëzore, me prodhimtarinë e të tjerë, jemi krah pune më mungesë në aspektin e kualifikimeve.

Ekonomia është e vërtetë që nuk është në lulëzim, por është në kthesë, dhe këtë e tregojnë se shifrat. Shqipëria në rajon ka bërë progresin më të madh në uljen e papunësisë, kemi arritur një rekord historik.

Ne kemi një potencial të pashfrytëzuar që është turizmi. Pediatria e Durrësit është një skandal, do i japim një fytyrë tjetër spitalit për të vegjëlit.

Në spitalin e Durrësit tani më është vendosur centrali i sterilizimit dhe pajisje të fjalës së fundit të teknologjisë.

Në Shqipëri bëhen afro 50 mijë operacione në vit, dhe na doli se gjysma e operacioneve janë me infeksione post-kirurgjikale për shkak të pajisjeve të pasterilizuara.

U fol për ujësjellësin, jam shumë i kënaqur për faktin që më në fund, në maj të vitit të ardhshëm do të ketë mbaruar odisea shumë vjeçare e këtij qyteti për ujë të pijshëm. Durrësi do të ketë sistemi uji cilësor. Jemi në një fazë ku po ndahemi nga hedhja e ujërave të zeza në det, ato tani janë të kanalizuara dhe jemi në fazën e dytë të ndërtimit të kanalizimeve dhe ka një ndryshim të ndjeshëm të cilësisë së ujit”, tha Rama.