Reagon klubi i Skënderbeut: Besimplotë për vendimin final

Klubi i Skënderbeut ka dalë me një deklaratë për shtyp sa i përket vendimit të dalë nga KAS i Lozanës për mospranimin e kërkesës për pezullimin e vendimit të UEFA-s.

Korçarët kanë vazhduar me bindjen se vendimi përfundimtar, i cili do të merret në muajt në vazhdim, do të ishte në favor të skuadrës së tyre.

“Deklaratë për shtyp mbi vendimin e CAS”

Sot, 14 qershor 2018, CAS (Gjykata e Arbitrazhit Sportiv) ka marrë vendim dhe ka refuzuar kërkesën e KF Skënderbeut, për pezullimin e efekteve të vendimit të komisionit të Apelit të UEFA-s.

Kjo nënkupton refuzimin e kërkesës për të marrë pjesë në kompeticionet europiane deri në marrjen e një vendimi përfundimtar nga CAS.

Për të sqaruar opinionin publik, CAS ka refuzuar vetëm kërkesën për pezullimin e efekteve ndërkohë që është pranuar apelimi i vendimit të komisionit të apelit pranë UEFA-s. Vendimi përfundimtar do të merret në muajt në vazhdim.

Klubi dhe zyra ligjore mbetet besimplotë se vendimi përfundimtar do të jetë në favor të KF Skënderbeut.

Me respekt, KF Skënderbeu!