Real Madrid, “flakë për flakë” me Ronaldon: Na sill ofertat që ke

Referuar raportimeve të të përditshmeve portugeze, ‘Record’ dhe ‘A Bola’, është tashmë e vendosur që Cristiano Ronaldo do të largohet nga Real Madrid, vendimi i tij tashmë duket i parevokueshëm.

Motivi? Mosdakordësitë e zakonshme, tashmë të pjekura me presidentin Florentino Perez, përgjegjës për mos mbajtjen e premtimeve që lidhen me rishikimin e kushteve të kontratës së CR7, që nga ana e tij pretendon një rritje të pagesës prej 21 milionë euro, për të barazuar Messin në kuotën e 40 milionë dhe Neymar 37 milionë.

Zyrtarisht, për të marrë Ronaldon, dikush duhet të paguajë klauzolën prej 1 miliard eurosh që i kanë vënë madrilenët. Por tani klubi është gati të dëgjojë ofertat për lojtarin dhe, nëse ka ndonjë të kënaqshme, duket i gatshëm edhe ta pranojë.

Sipas mediave spanjolle, klubi i ka kërkuar menaxherit të Ronaldos që të sjellë ofertat që ka për lojtarin, në mënyrë që ato të shqyrtohen, edhe pse nuk pritet të jenë të shumta, pasi pak klube në botë kanë luksin të shpenzojnë shifra të çmendura për portugezin.

Të ardhurat nga shitja e tij, Reali do t’i investojë për të blerë Neymar nga PSG, një operacion i merkatos, i cili do t’i kushtojë të paktën 400 milionë euro.

Kështu, janë të ndryshëm zërat që mbërrijnë nga Portugalia mbi destinacionet e mundshme të CR7, mes të cilave më favoritet janë padyshim PSG dhe Manchester United.

Por nuk mbyllet me aq lista e ekipeve pretendente për të mirëpritur Ronaldon. Mes alternativave të përmendura nga mediat portugeze qëndrojnë edhe ekipet e Seria A të Italisë, me Juventus, Milan, Inter dhe Roma.