Shqipëria, bazë e hershme e hebrenjve romaniotë

Për 2 mijë vite hebrenjtë kanë jetuar në Mesdheun Lindor. Pasaardhësit e kësaj popullsie të lashtë, që njihen si “hebrenjtë romaniotë”, ekzistenca e të cilëve daton që në periudhën e Perandorisë Romake Bizantine, janë një nëngrup në popullsinë hebrehe, të cilët ndryshojnë nga sefardit, që deri në 1492-in jetonin në Spanjë.

Kështu i përshkruan e përditshmja “Jeruzalem Post” identitetin e këtij komuniteti pjesë e popullsisë hebrehe, por me një dialekt tjetër të njohur si greko-jude. Ky komunitet ka pasur një prezencë të hershme dhe më të përqëndruar në Greqi dhe Shqipëri. Qëndra e Kujtesës Botërore të Holokaustit, Yad Vashem tregon për një prani të faktuar të hebrenjvë në Shqipëri që në shekullin e dytë pas lindjes së Krishtit. Me shkatërrimin e Tempullit të Dytë në Jeruzalem kur nisi dhe vala e hebrenjve romaniotë të cilët patën si ndalesë të parë qytetin e Janinës.

Me fillimin e inkuizicionit në Spanjë, fluksi i hebrenjve në viset shqiptare u shtua ndjeshëm. “Jeruzalem Post” shkruan në një artikull dedikuar Shqipërisë se hebrenjtë gjetën në vendin ballkanik buzë Jonit e Adriatikut një strehë të qetë për të jetuar në paqe me fqinjët. Shumica prej tyre mësuan të flisnin shqip duke e përdorur si gjuhë të parë. Edhe pse jetesa nuk ishte e lehtë për hebrenjtë në Shqipëri ata gjetën një strehë të qetë.

Kështu nga shek. XVIII dhe XIX-të, ishin të shumtë hebrenjtë të cilët u larguan nga Greqia drejt Shqipërisë, duke u vendosur në Vlorë. Në një reportazh kushtuar hebrenjve të “Rrugicave të Vlorës”, gazetari Altin Raxhini shkruan se “shumica e komuniteti hebre në Shqipëri e ka origjinën nga Janina, trembëdhjetë familje dhe pasardhësit e tyre që zënë fill nga rrugicat e lagjes Kastro, të cilët në periudhën midis dy luftërave botërore, ndërtuan një komunitet të vogël zanatçinjsh dhe tregtarësh me qendër në Vlorë dhe hapën dyqane dhe tjetërkund.”

Përpara viteve ’30 më shumë se 200 hebrenj jetonin në Shqipëri. Ndërkohë që me fillimin e Luftës së Dytë Botërore numri i tyre u shtua nga emigrantët e shumtë që erdhën që pas 1939. Shifrat flasin për 1800 të tillë. Familjet janjiote të vendosura në Gjirokastër, sikurse tregon gazetari Raxhini, rrinin afër njëra-tjetrës në Varosh. Në shtëpinë e tyre të marra me qera mbaheshin edhe shërbyes.

“Shqiptarët ishin të mbyllur, por visheshin mirë, kujtonte e shoqja e Marko Batinos, atij që në shkurt të 1946-ës e patën përzënë për në Greqi. Familja e Batinove merrnin pjesë në ceremonitë që bënte bashkia, bile një herë shkuan edhe në një ballo të Zogut. Por për Festat e Mëdha hebraike, deri përpara Luftës së Dytë, sikurse tregon gazetari Raxhini, ktheheshin në Janinë dhe paratë u dilnin të shkonin për llixha në jug të Greqisë.”

Ky komunitet i mbijetoi luftës dhe pushtimit nazist edhe se arsyet përse gjermanët nuk i mblodhën hebrenjtë shqiptare si gjetkë mbeten të paqarta. Pas luftës, si shumica e borgjezisë së vogël shqiptare, ata u shpronësuan nga regjimi komunist dhe me kalimin e viteve u integruan me martesa mikse me komunitete të tjera fetare.

Në vitet pesëdhjetë komuniteti i vogël i hebrenjve shqiptarë filloi të bënte përçapjet e para për t’u larguar drejt Izraelit, po kjo e drejtë ju mohua nga ish diktatori Enver Hoxha. Nga fillimi i viteve 80’, me përmirësimin e marrëdhënieve të Shqipërisë me Greqinë një pjesë e tyre filluan të dilnin për vizita drejt Janinës.Në mesin e vitit 1990, me ndihmën e komunitet e hebrenjve janinjotë në Amerikë dhe organizatave të tjera hebreje, shumica e tyre u larguan nga vendi, duke marrë me vete dhe historinë e tyre shqiptare të më shumë se një shekulli.