Si Bitëllsat e bënë rebelizmin në kulturë diçka të kohës

Marrë nga Humanus

Edhe pse sjellja rebele, anti-autoritariste, ka një traditë të vjetër në kulturën amerikane, Bitëllsat u shfaqën në një kohë kur kjo lloj sjelljeje ishte ende thuajse një nënkulturë. Në fakt, individë të tillë, si komediani Lenny Bruce, i cili u dënua për thyerjen e rregullave, ishin të përjashtuar nga jeta kulturore amerikane pasi krijonin telashe. Argëtimi në Amerikë po shndërrohej në një industri, të cilën njerëzit do ta respektonin duke sjellë personazhe të parrezikshëm, njësoj siç Detroit prodhonte makina të sigurta.

Bitëllsat ishin më të vetndërgjegjshëm sesa aspirantët e tjerë në llotarinë e industrisë pop. Ata e kuptuan atë lloj absurditeti që vihej re në aktivitetin e lojës pop dhe dukeshin të vendosur të ndiqnin rrugën e tyre. Ky qendrim binte gjithmonë në sy kur atyre u duhej të merreshin me shtypin. Në raste të tilla, ata u përgjigjeshin pyetjeve të gazetarëve në një mënyrë miqësore, ose edhe me fjalë që s’bënin kuptim. Bitëllsat e bënë të qartë qysh në fillim se ata kishin mendimin e tyre të pavarur dhe se do të bënin gjithnjë atë çfarë donin ata vetë, pavarësisht nëse bota i pranonte ose jo.

Disa vite më parë, adoleshentëve amerikanë u kishin ngjitur qëndrimet rebele të aktorit James Dean dhe të Elvis Presley-t; Bitëllsat adoptuan të njëjtën sjellje, por në një mënyrë më të sofistikuar dhe pa rënë në sy. Shakatë e tyre gjatë konferencave të shtypit ishin thumbuese për gazetarët dhe ata kurrë nuk qenë aq të qetë sa Elvis, që gjithmonë ishte i sjellshëm me të gjithë të rriturit, sado të pagdhendur të ishin ata. Kjo ishte një ndër mënyrat e shumta për të shfaqur vetndërgjegjësimin e tyre ndaj aparatit të “showbiz”-it ku bënin pjesë dhe se sa shumë e meritonte ai vënien në lojë. Anarkia që rezultonte prej këtej ishte njëlloj turbulluese dhe njëherësh e këndshme edhe për të rriturit.

Herë pas here, grupi shkonte shumë larg me sjelljen e tij rebele. Një thënie e John Lennon-it, se Bitëllsat, ishin “më të mëdhenj se Jezusi”, çoi në djegien e një sasie të madhe albumesh të këtij grupi në disa pjesë të Amerikës dhe në një rënie të përkohshme të shitjeve të këngëve të tyre në vitin 1966. Por, shumica e admiruesve të muzikës pop (dhe nëse dikush ishte një admirues i muzikës pop në vitet 1960, ai ishte një admirues edhe i Bitëllsave) e vlerësonin ndershmërinë e atij grupi dhe i besuan atij.

Ky besim do të forcohej edhe më shumë teksa Bitëllsat filluan të eksperimentojnë në sfera muzikore e politike ezoterike. Të rinjtë amerikanë i shihnin Bitëllsat si përfaqësuesit e tyre kulturorë dhe u bënë ndjekësit e tyre. Nuk do të kalonte shumë kohë që rebelizmi të bëhej një tipar kombëtar i amerikanëve, dhe, më pas, një tipar i përhershëm i kulturës së rinisë amerikane (dikush mund të thonë, madje, një tipar i kulturës amerikane në përgjithësi). Bitëllsat, një grup i pavarur dhe me një sjellje që s’donte t’ia dinte për pasojat, kishin rolin e tyre në këtë transformim. Për më tepër, ata i hapën dyert çdo grupi që mund ta shprehte këtë sjellje lirisht, sapo që pengesat të kishin rënë.

Bitëllsat i bënë të pranueshëm filmat vizatimorë me personazhe rroku

Qysh kur filluan karrierën e tyre, dukej qartë se Bitëllsat nuk pëlqeheshin vetëm nga një grupmoshë. Pjesën më të madhe të audiencës së tyre të hershme, sigurisht, e përbënin adoleshentët, por shumë shpejt atyre iu bashkuan edhe të rriturit dhe fëmijët. Një mënyrë për të tërhequr të vegjëlit ishte përshtatja me ta dhe, kështu, Bitëllsat pranuan prodhimin e një filmi vizatimor të përjavshëm, ku do të luhej muzika e tyre. Filmi vizatimor The Beatles, edhe pse mbahet mend më pak sesa arritjet e tyre të tjera audiovizive, vazhdoi për tre sezone në televizionin ABC, nga mesi deri në fundin e viteve 1960, duke ia ekspozuar muzikën e këtij grupi adhuruesve të tyre të vegjël.

Bitëllsat krijuan filmin e parë vizatimor për muzikën “pop”. Me shumë gjasa ky ka qenë i pari film i tillë që bazohej në njerëz realë. Sigurisht, skenari ishte qesharak: John zvogëlohet nga një lëng magjik; Ringo bëhet toreador; Paul rrëmbehet nga një shkencëtar i çmendur që kërkon ta martojë me vajzën e tij vampire; George përfshihet në një duel sërfi me një personazh të quajtur Surf Wolf.

Ngjarja e çdo episodi ishte kryesisht një pretekst për të shfaqur në të dy këngë të Bitëllsave, disa prej të cilave ishin këngë pak të njohura, por të përfshira në album. Animimi nuk ishte shumë i sofistikuar por, nga viti 1965 deri në vitin 1969 (dy vitet e fundit ishin përsëritje), ky ishte emisioni kryesor i paradites së të shtunës.

Edhe pse Bitëllsat nuk i përkushtoheshin shumë filmit vizatimor dhe nuk bënin gjë tjetër veçse autorizonin muzikën e tyre, kjo, megjithatë, pati një ndikim të madh. Personazhe të reja që përfaqësonin grupe të vërteta rroku (Jackson 5, Osmonds) ose dhe të trilluara (Archies, Josie dhe Pussycats) ndoqën po këtë linjë. Në fakt, për të reflektuar muzikën që shoqëronte filmat vizatimorë, u krijua një zhanër i ri i muzikës “pop”— “Bubblegum music”, ose “Bubblegum pop”.

Në kohën kur këngët e stilit bubblegum po kryesonin renditjet muzikore, Bitëllsat e kishin lënë pas botën e filmave vizatimorë, por jo para se ata të binin dakord për prodhimin e një filmi të plotë të tillë, të bazuar në këngën e tyre “Nëndetësja e verdhë” (Yellow submarine). Ngjyrat hipnotizuese të këtij filmi reflektonin më saktësisht shijet e tyre në atë periudhë të karrierës, edhe pse është me interes të theksohet se programi televiziv që e shfaqi atë u përpoq të përfshinte edhe videon e këngës “Përgjithmonë fusha me luleshtrydhe”.

Bitëllsat kishin hapur kështu sërish derën dhe do të pasoheshin nga animime të tjera, që për muzikë kishin këngët e Nilsson-it, të grupit Pink Floyd dhe të grupeve të tjera të rrymës “Heavy metal”.

Përktheu në shqip: David Hudhri