Si Bitëllsat ndryshuan mënyrën se si ne e përjetojmë sot muzikën

Marrë nga revista Humanus

Sot jetojmë në një kohë kur njerëzit i shkarkojnë këngët që pëlqejnë nga interneti, kur shitjet e albumeve muzikore në internet janë rritur, ndërsa ato në dyqane kanë rënë, dhe kur gjasat më të mëdha janë që, kushdo që e pëlqen muzikën, të blejë një ose disa këngë të veçanta dhe jo domosdo një album të tërë.

Në fakt, blerja e këngëve të veçanta ka nisur para se të vinin Bitëllsat, kur të gjitha burimet përqendroheshin në kompozimin e një kënge të suksesshme. Kënga regjistrohej, publikohej më vete dhe njerëzit e blinin, ose nuk e blinin atë. Nëse e blinin, një këngë shndërrohej në sukses. Në fillimet e tyre, Bitëllsat fituan një popullaritet të madh pasi këngët e tyre ishin, pothuajse të gjitha, të suksesshme. Në prillin e vitit 1964, pra rreth dy muaj pas mbrritjes së tyre në Amerikë, këngët e tyre zunë pesë vendet e para në renditjen e 100 këngëve më të mira të Billboard.

Edhe pse kjo ishte mënyra se si funksiononte industria e muzikës në atë kohë, Bitëllsat nuk e shihnin veten e tyre thjesht si një makineri që prodhon vetëm këngë të veçanta, pavarësisht se ata prodhuan e publikuan disa nga këngët më të suksesshme në historinë e muzikës. Në një kohë kur albumet muzikore mbusheshin kryesisht me materiale jo të mira, me synim rritjen shitjeve të një kënge të suksesshme, Bitëllsat u kujdesën që të gjitha këngët e tyre të ishin cilësore.

Para se ata të dilnin në skenë, në Amerikë ka pasur edhe ndonjë përjashtim nga ky rregull si, për shembull, Frank Sinatra, ose disa këngëtarë të njohur xhazi, muzika e të cilëve përmirësohej me çdo publikim. Por Bitëllsat ishin muzikantët e parë pop që prodhuan albume, në të cilat çdo këngë ishte pjesë e rëndësishme e së gjithës. Ata synonin që çdo album të ishte, nga fillim në fund, i një cilësie të lartë. Pra, mund të thuhet se ata ishin të parët që nisën t’i vënë rëndësi albumit, dhe jo suksesit të një kënge të vetme.

Në Shtetet e Bashkuara, një pjesë e mirë e përpjekjeve të Bitëllsave kundërshtohej nga shtëpia diskografike e tyre, “Capitol”. Të etur për të shtuar produktet e tyre, “Capitol” e merrte muzikën e Bitëllsave nga shtëpia diskografike “Parlophone”, në Britaninë e Madhe, dhe i rishpërndante këngët e tyre në më shumë albume, duke shtuar, herë-herë, edhe ndonjë këngë që në Britani nuk u ishte publikuar ende, si “Dissie Miss Lizzie” etj.

Rrjedhimisht, në Amerikë u publikuan dy herë më shumë këngë të Bitëllsave sesa në Britaninë e Madhe, që ishte vendlindja e tyre. Edhe pse, në fakt, Bitëllsat nuk dëshironin që këngë të veçanta të tyre të përziheshin në të njëjtin album me këngë e krijuara prej tyre me aq kujdes, kjo ishte ajo çfarë “Capitol” bëri në shumë raste. Megjithatë, edhe pse për Bitëllsat kjo praktikë ishte e padëshiruar, për adhuruesit amerikanë ajo ishte gati një mrekulli pasi, në këtë mënyrë, ata mund t’i dëgjonin të gjitha këngët e tyre të preferuara në një pllakë të vetme gramafoni që e luanin për një kohë të gjatë.

Kjo praktikë vazhdoi deri në publikimin e “Rreshterit Pepper”, në vitin 1967, kur Bitëllsat, më në fund, u siguruan që të dyja kompanitë diskografike do të publikonin të njëjtin version të albumit, duke ruajtur kështu vizionin e tyre. Një ndër arsyet që “Rreshteri Pepper” pati privilegjin të bëhet një LP (long playing) album, pra albumi me të gjitha këngët e grupit, ishte se ai u përjetua njësoj në të gjithë botën. Publikimet e mëvonëshme të Bitëllsave, që konsiderohen si shembuj tipikë të albumeve të shkëlqyera të muzikës pop, ndoqën po këtë rrugë.

Edhe pse ideja e këngëve të veçanta të suksesshme nuk u zhduk, disa grupe të mëvonshme, në vitet 1960 dhe 1970, të frymëzuar nga përvoja e Bitëllsave, u përqendruan kaq shumë në publikimin e albumeve me muzikën e tyre, saqë edhe nuk e morën mundimin të publikonin këngë të veçanta.

Shumë adhurues amerikanë të muzikës së Bitëllsave ndjejnë edhe sot e kësaj dite një lidhje sentimentale me versionet e hershme amerikane të albumeve të tyre. Ndër 50 albumet më të mira në Billboard sot vazhdojnë të renditen edhe një set albumesh të Bitëllsave. Më shumë se gjysmëshekulli pas mbrritjes së tyre në Amerikë, Bitëllsat mund të përjetohen sërish, ashtu siç amerikanët i njohën ata për herë të parë—me të gjitha këngët e tyre!

Bitëllsat krijuan videot muzikore

Kur MTV debutoi për herë të parë në vitin 1981, Amerika u bë i pari vend që kishte një stacion televiziv vetëm për muzikë. Në atë kohë, rrjeti televiziv kishte qëllim shfaqjen e videove muzikore, të cilat, pas një farë kohe, do të bëheshin po aq popullore sa dhe vetë këngët kur artistë të tillë, si Michael Jackson dhe Peter Gabriel, nisën të sillnin gjëra të reja. Videoja muzikore u kthye në një simbol të viteve 1980, por rrënjët e saj janë më të hershme.

Pamjet vizuale të shoqëruara nga muzika e kanë origjinën qysh në kohën kur filluan të prodhohen filmat me zë dhe kur pjesë të caktuara filmash muzikorë të viteve 1930 dhe 1940 mund të merreshin për të krijuar diçka të ngjashme me një video muzikore sot. Në vitet 1940, kishte madje aparate të cilat, duke përdorur monedha, luanin filma të krijuar posaçërisht për promovimin e një kënge. Këto queshin soundies (“jukebox”, ose “machine music”. Në vitet 1950 dhe 1960, aparate të ngjashme, të quajtura scopitones, filluan të prodhoheshin edhe në Francë.

Duhet thënë se filmat e shkurtër (3 minuta/16mm) që luheshin në soundies dhe scopitones, në përgjithësi, kishin një kosto të ulët prodhimi dhe ishin të mërzitshëm. Bitëllsat e ndryshuan të gjithë këtë me filmin e tyre të parë, “Nata e një dite të vështirë” (A Hard Day’s Night). Ky film përmban disa sekuenca, në të cilat këngët luhen të plota dhe shërbejnë si shprehje e muzikës, por nuk e zgjasin ngjarjen e filmit.

Më e famshmja ndër to është sekuenca e këngës “Nuk më blen dot dashuri” (Can’t Buy Me Love), në të cilën Bitëllsat shfaqen duke kërcyer përreth një fushe. Montimi është përmbledhës, filmi shpejtohet dhe ngadalësohet sipas lëvizjeve të tyre dhe ka një përdorim origjinal të fotografisë me kënd të ulët dhe nga lart. “Nuk më blen dot dashuri”, në thelb, është një video muzikore.

Pas kësaj, Bitëllsat prodhuan dy video të palidhura me njëra tjetrën, për dy këngët kontroversiale, “Përgjithmonë fusha me luleshtrydhe” dhe “Rruga Peni” (Panny Lane). Për të dyja u xhiruan filma të shkurtër. Më interesantja është “Përgjithmonë fusha me luleshtrydhe”, tek e cila grupi gjendet sërish në një fushë por, këtë herë, efekti nuk është gëzim dhe humor, por drithërimë dhe turbullim, duke përdorur kthimin mbrapsht të filmit, vendosjen e imazheve njëri mbi tjetrin dhe zmadhimin pa u përqendruar në qendër, të cilat krijojnë një ndjesi hutimi. Filmi kulmon me rrëzimin e një pianoje, pjesa e përparme e së cilës spërkatet me bojë nga grupi.

Meqë Bitëllsat i kishin ndërprerë koncertet në Shtetet e Bashkuara, këto filma promocionalë morën shumë rëndësi. Përpara se karrierës së tyre t’i vinte fundi, ata prodhuan disa filma të tjerë për televizion dhe për kinema. Gjatë viteve 1970, shumë artistë (ndër ta edhe George Harrison dhe Paul McCartney), vazhduan të prodhonin filma të tillë, deri sa nisi MTV dhe videot u kthyen në mjet standard për promovimin e këngëve.

Përktheu nga anglishtja David Hudhri