Si e ndryshuan Bitëllsat peizazhin kulturor amerikan

Joe McGasko

Marrë nga revista Humanus (2016), No. 2, ff. 33-45

Deri në 7 shkurt të vitit 1964, Britania e Madhe njihej për shumë gjëra: për çajin, për flotën e saj, për rrobaqepësinë mjeshtërore, për Mbretëreshën. Megjithatë, “eksportet e muzikës emocionuese” nuk zinin një vend kryesor në këtë listë. E gjitha kjo ndryshoi kur katër muzikantë të rinj anglezë, nga Liverpuli, zbritën në aeroportin ndërkombëtar John F. Kennedy, në New York, dhe shkaktuan një shpërthim kulturor, jehona e të cilit do të vazhdonte të ndihej për një kohë të gjatë më pas. Me këtë kam parasysh zbarkimin madhështor në Amerikë të grupit më të veçantë muzikor, që ne të gjithë e kemi njohur dhe e duam, atë grup të mahnitshëm që e ndryshoi muzikën amerikane përgjithmonë: The Bachelors!
Këtë e them me shaka. “The Bachelors” janë një grup i mrekullueshëm (në janarin e vitit 1964 ata patën një këngë shumë të suksesshme dhe janë aktivë edhe sot), por ata nuk janë the Beatles. Asnjë grup nuk mund të jetë dhe asnjë grup nuk ka për t’u bërë ndonjëherë si Bitëllsat. Ata zbritën në Amerikë në shkurtin e vitit 1964, për të mos u larguar më kurrë nga ky vend.

Është e pamundur ta nënvlerësosh rolin që kanë luajtur dhe ndikimin që kanë pasur Bitëllsat në historinë e muzikës pop në Amerikë dhe në botë. Ashtu si dhe disa individë të tjerë në historinë e muzikës pop, si Benny Goodman, Frank Sinatra dhe Elvis Presley, Bitëllsat ndezën një zjarr të hershëm dhe shënuan fillimin e një periudhe “manie”, kur adoleshentët shprehnin në masë entusiazmin në koncertet dhe në shfaqjet publike të këtij grupi.

Por Bitëllsat, njësoj si paraardhësit e tyre (madje edhe më shumë se ata), e tejkaluan kësaj fazë dhe u bënë një forcë kulturore; me kompozimet dhe sjelljet e tyre ata e transformuan mënyrën se si përjetohej muzika pop nga një numër i madh njerëzish. Duke koinciduar me një prej periudhave më të trazuara në historinë e Amerikës, muzika e tyre jo vetëm reflektoi atë epokë, por edhe e tejkaloi atë, aq sa, edhe sot, Bitëllsat mbeten të freskët për çdo brez pasardhës që e zbulon muzikën e tyre.

Më poshtë ofrojmë një vështrim të gëzueshëm në ndikimin që patën Bitëllsat në peisazhin kulturor amerikan, duke e ndryshuar atë përgjithmonë.

Bitëllsat e rritën standardin e cilësisë së idhullit në brezin e adoleshentëve

Përpara se Bitëllsat të mbërrinin në Amerikë, skena e muzikës pop në këtë vend karakterizohej nga sharmi i një grushti këngëtarësh, me paraqitje të rregullt e me dhëmbë si ruaza të bardha (një pjesë e mirë prej tyre nga Filadelfia), muzika e të cilëve ishte po aq e fabrikuar, sa dhe imazhi i tyre si fqinjë të mirë.

Këta djem ishin të sjellshëm dhe disa prej tyre të talentuar, por karriera e tyre drejtohej nga producentë dhe njerëz të industrisë, të cilët komandonin makinerinë që krijonte këngët e suksesshme, atë çfarë muzika pop ishte bërë në fillim të viteve 1960. Muzika dhe sjelljet “e çmendura” të këngëtarëve të tillë, si Little Richard apo Jerry Lee Lewis, nuk ishin më një gjë e zakonshme dhe rock’n’roll përfaqësohej tashmë nga këngëtarë më të menaxhueshëm, si Fabian, Franklin Avalon dhe Bobby Rydell.

Të analizosh shijet e rinisë amerikane në vitet 1950 është një punë e vështirë, pasi, a nuk ishte, në vitet 1950, Pat Boone një këngëtar që rivalizonte me Elvis Presley-n, madje, ndonjëherë, edhe dominonte mbi të në sondazhet për pëlqimet e adoleshentëve?

Sidoqoftë, Bitëllsat sollën një frymë re në një peisazh kulturor të mërzitshëm idhujsh për adoleshentët. Theksi liverpulian, si dhe veshja e sjelljet e tyre të pazakonta jo vetëm i bënin ata tepër ekzotikë në sytë e adoleshentëve amerikanë, por edhe ishin për ta si katër idhuj, të bashkuar në një pako të vezulluese. Ata ishin Paul [McCartney], i lezetshëm dhe i adhurueshëm; John [Lennon], i zgjuar dhe disi i rrezikshëm; George (Harrison], i urtë dhe i ndrojtur; dhe Ringo [Starr], argëtues dhe qesharak.

Ata kishin diçka për shijet e të gjithë adoleshentëve dhe uniformiteti i paraqitjes së tyre—“çuna, të gjithë për një dhe një për të gjithë”—i bënte ata edhe më tërheqës në sytë e të rinjve amerikanë: stili i ngjashëm i flokëve, kostumet e mbërthyera pa kravata dhe çizmet me taka dhe majë kubaneze.
Një dallim i rëndësishëm mes Bitëllsave dhe rivalëve të tyre ishte se të parët e kontrollin vetë paraqitjen e tyre, me menaxherin e tyre Brian Epstein, ata zgjidhnin garderobën, një pjesë e mirë e së cilës ishte marrë nga miqtë e tyre të modës në Hamburg.

Ajo çka është edhe më e rëndësishme ka të bëjë me faktin se Bitëllsat e kontrollonin vetë muzikën e tyre, e cila bazohej te rhythm dhe blues, dhe te muzika që prodhonte shtëpia diskografike Motown, jo Patti Page apo Mitch Miller. Kur nuk këndonin këngë të vjetra rock’n’roll, që i zgjidhnin vetë, ata kompozonin këngët e tyre, diçka që mund ta bënin vetëm pak këngëtarë të tjerë të njohur, që pëlqeheshin nga të rinjtë e asaj koh, edhe nëse ata ishin të aftë. Ky ishte i gjithë dallimi. Përveçse ishin të lezetshëm e karizmatikë, Bitëllsat kishin edhe substancë, të cilën ishin të vendosur ta vërtetonin.

Bitëllsat i bënë flokët e gjatë te burrat të pranueshëm, madje edhe të dëshirueshëm

Sot mund të duket qesharake, por para se Bitëllsat të vinin në Amerikë, fjala “flokëgjatë” përdorej vetëm për një grup të vogël njerëzish, shumica e të cilëve ishin artistë.

“Flokëgjatë” ishte një epitet shpërfillës, që përdorej për disa muzikantë klasikë, ose për ata që njiheshin si bitnikë (beatniks) dhe bohemë të tjerë. Flokët e gjatë konsideroheshin si pjesë e një temperamenti artistik eksentrik, me përjashtim, ndoshta, të klerikëve nga rajone të huaja, që i rrisnin flokët dhe mjekrën e tyre devotshmërisht

Më pas u shfaqën Bitëllsat, me flokët e tyre në stilin “mop top”. Pjesa më e madhe e shtypit të kohës merrej me stilin e tyre të flokëve, që sot do të konsiderohej i rregullt dhe i pastër. Njësoj si uniformat e tyre në skenë, stili i flokëve të Bitëllsave ishte produkt i origjinalitetit gjerman dhe vinte nga komuniteti artistik që i mbështeti ata në Hamburg.

Sapo u bë i njohur, ky stil flokësh fitoi një identitet të vetin, veçanërisht kur paruke në atë stil nisën të prodhoheshin kudo dhe komedianë të njohur në emisionet televizive filluan të visheshin si ata, për të marrë të qeshurat e publikut. Edhe pse Bitëllsat nuk e ndoqën këtë rrugë për të përfituar, shpejt ata vunë re se llogaritë e tyre bankare po mbusheshin. Pa kaluar shumë kohë, sidoqoftë, stili i flokëve të tyre kaloi në një plan të dytë. Ndërsa koha kalonte dhe grupe të tjera nisën të ndiqnin shembullin e Bitëllsave, flokën u zgjatën gjithnjë e më shumë.

Në vitin 1966, Bitëllsat filluan të mbanin mjekër. Me pamjen e tyre tashmë prej “hippie” ata e nisën këtë trend në kulturën “pop”. Në fundin e viteve 1960, stili i çrregullt i flokëve do të konsiderohej i dalë mode përpara pamjes prej malësori që filluan të marrin shumë figura të muzikës “pop” (George Harrison i Bitëllsave ishte më leshtori). Flokët e gjatë u bënë diçka dalluese, një simbol i përbuzjes për rregullat e shoqërisë dhe i protesës ndaj tyre. Pjesa më e madhe e njerëzve që u përkisnin shtresave të larta të shoqërisë e urrenin pamjen prej “hippie” dhe i sulmonin njerëzit që ndiqnin këtyë trend, madje edhe deri në fillimin e viteve 1970.

Megjithatë, me kalimin e kohës, edhe një pjesë e politikanëve filluan t’i zgjasnin flokët mbi veshë e mbi jaka dhe revolucioni u fitua. Zgjatja e flokëve nuk ishte më një akt proteste, ose provokues, si në kohën kur Bitëllsat e bënë këtë për herë të parë. Tashmë kjo ishte bërë thjesht në çështjeje zgjedhjeje.

Bitëllsat na trullosën

Edhe pse në bregun perëndimor të Shteteve të Bashkuara substancat narkotike ishin shfaqur me kohë dhe Donovan po fillonte të këndonte për supermenë të lumtur dhe “udhëtime” në Angli, në vitet 1960 Bitëllsat ishin ndër grupet e para pop dhe patën një ndikim shumë të madh në kulturën “pop” në Amerikë, veçanërisht me virusin e haluçinacioneve.

Kur ata nisën të këndonin për “fikjen e mendjes”, LSD ishte ende një substancë narkotike e ligjshme në Amerikë; ajo u bë një substancë e ndaluar nga ligji kryesisht për shkak të imazhit të mirë dhe të përhapjes së gjerë që mori në radhët e rinisë.
Treguesi i parë se Bitëllsat kishin hyrë në një fazë të re zbulimi, ishte kënga e fundit në albumin e tyre të vitit 1966, “Revolver”. Teksti i këngës “E nesërmja nuk di kurrë” (Tomorrow Never Knows) u riprodhua nga një libër i titulluar Përvoja e haluçinacionit: Një manual i bazuar në librin tibetian të të vdekurve, me bashkautorë përkrahësin e LSD-së, Dr. Timothy Leary, gurunë Ram Dass dhe akademikun Ralph Metzner.

Kjo këngë, njësoj si gjuha e librit, kishte një tekst abstrakt, të përzier me një nuancë shpirtërore, ndërsa muzika i përshtatej tonit të tyre—një tingull muzikor indian ndërthurej me një motiv hipnotizues e të vazhdueshëm baterie, që dukej sikur do të ngatërrohej në çdo përsëritje, ndërsa efekte të ndryshme, si shirita kasete të kthyer mbrapsht, krijonin një përzierje të panatyrshme. Zëri i John Lennon-it u përpunua që të tingëllonte i largët dhe si një vorbull. E qeshura e Paul McCartney-t u luajt së prapthi dhe u përsërit pa ndërprerje, duke tingëlluar si një tufë pulëbardhash.

Të rinjtë edhe mund ta shmangnin këtë këngë “të çuditshme” duke e ngritur dhe larguar gjilpërën e gramafonit në një pjesë tjetër të diskut, por prej bombës hipnotizuese “Përgjithmonë fusha me luleshtrydhe” (Strawberry Fields Forever), kënga pasardhëse e Bitëllsave, nuk kishte shpëtim. Që nga teksti enigmatik (“Asgjë nuk është e vërtetë/Dhe s’ka asgjë për t’u shqetësuar”) tek akordi i pazakontë e zhangëllues, e gjitha ishte si një haluçinacion, me një përmbyllje euforike të mbushur me tinguj qestre indiane, një violinçel që mezi dëgjohej dhe instrumente që luheshin së prapthi. Sigurisht, kishte edhe një pjesë të madhe të melodisë së Bitëllsave që e bënte këtë gjë anormale, më të këndshme.
“Përgjithmonë fusha me luleshtrydhe”, një ndër dhjetë këngët më të mira, u bëri të plotë fiksimin hipnotizues pas Bitëllsave.

Ajo doli vetëm pak muaj më parë se të publikohej albumi i tyre i tetë i regjistruar në studio, “Banda e klubit të zemrave të vetmuara të rreshterit Pepper” (Sgt. Pepper’s Lonely Hearts Club Band), i vlerësuar shpeshherë si albumi me ndikimin më të madh në historikë e muzikës “Rock”. Këtë album e dëgjonte kushdo, nga kolegët e tyre në skenën muzikore, tek adoleshentët në radio. Rroku hipnotizues (dhe frymëzimet e mënyrës së jetesës) do të bëhej në vitet e ardhshme një aspekt shumë i rëndësishëm i kulturës amerikane. Sapo Bitëllsat dolën në skenë, pemët me mandarina dhe qiejt prej marmalade nuk ishin më diçka ekskluzive e një grushti muzikantësh anglezë dhe e kimistëve amerikanë që i frymëzonin.

Përktheu në shqip: David Hudhri