“S’kam sharë kurrë asnjë grua”/ 5 poezi të Dritëro Agollit që do t’i adhurojnë të gjitha femrat

MARREZIA DHE MENÇURIA FLENË NË NJË SHTRAT, PUNA ËSHTË SE CILA ZGJOHET MË HERËT! – DRITËRO AGOLLI

Krijimtaria e letrare e poetit të shquar Dritëro Agolli është mjaft e pasur në gjini e lloje të ndryshme: poezi, poema, tregime, novela, romane, drama, skenarë filmash etj.

Dritëro Agolli hyri që në fillim në letërsinë shqiptare (vitet’ 60) si një protagonist i saj, duke i ndryshuar përmasën e së ardhmes. Agolli i bë poeti i tokës dhe i dashurisë për të, shkrimtari i filozofisë dhe i dhimbjes njerëzore.

Shkrimtar i madh i një “gjuhe të vogël”, ai është po aq i dashur prej lexuesve bashkëkombas, sa dhe në metropolet e kulturës botërore.

Dritëro Agolli dhe brezi i tij letrar (vitet ’60) nuk u paraqitën me ndonjë poetikë të re, sido që u diskutua mjaft edhe për rimën dhe ritmin, për vargun e lirë dhe vargun e rregullt, për “rreptësinë” e poezisë.

Agolli krijoi një model të ri vjershërimi në problematikë dhe në mjeshtërinë letrare, gërshetoi natyrshëm vlerat tradicionale të poezisë me mënyra të reja të shprehjes poetike.

Larmia e vargjeve të tij është e pafundme, por kemi përzgjedhur sot 7 poezi të Dritëro Agollit, që i kushtohen gruas.

1. GRATË PËR MUA

Kam dashur çdo grua pa masë,

Në rrugë, në dhomë e kuzhinë,

Madje dhe lart në tarracë,

Ku ndejnë rroba e fshijnë.

 

Në zënka s’kam sharë asnjë grua,

S’kam shkruar keq në asnjë fletë.

Do vdes.

Do flasin gratë për mua:

“Ky ishte poet i vërtetë”.

 

2. MJELMA

Yt shoq me një çifte një mjelmë vrau në liqen,

Kur dihet se mjelma nuk vritet.

E tmerrshme vërtet, më tutje ç’të them,

Nga bota e çmendur e çfarë nuk pret!

 

Po mbase e vrau i krekosur, që ti

Si mjelma të dridhesh nga frika.

E dashur, largohu me vrap nga ai

Dhe rrugës mos thuaj as “ika”…

 

3. I PËRNDJEKURI I DASHURISË

Unë jam i burgosuri yt,

Rroj me prangat që ti m’i ke vënë,

Po çudi, as qelia s’më mbyt

Dhe s’më mbyt as dritarja e zënë.

 

Kur ti prangat m’i hodhe në mish,

Unë i putha duart e tua,

Është rast i pashëmbullt ta dish,

Që xhelatin ta puth e ta dua!

 

I përndjekuri yt erotik,

I përndjekur të mbetet gjithmonë!

Erotik i mirë a i lig,

Hidhmi duart në fyt, torturomë!

 

Ky burgim sa do zgjasë s’e di:

I përjetshëm do kisha dëshirë,

Veç ti eja më shpesh në qeli,

Të përndjekurit tënd i vjen mirë…

 

4. NGAHERË NË PRITJE

Sërish të pres të vish:

Na qënka jeta pritje

Në shpirt, në gjak, në mish,

Në gaz e në mërzitje.

 

Dhe unë e them ta dish:

Sa dukesh ti në derë

Pranvera hyn në shpirt

Dhe shpirti në pranverë.

 

5. DASHURI E VËSHTIRË

Ti në kanape tani dremit

Ndofta gjumi ende s’të ka zënë,

Abazhuri mbi qerpikë ndrit

Libri nga gishtërinjtë të ka rënë.

 

Para teje ndal mendimi im:

Jemi dashuruar edhe sharë

Jemi ndarë shpesh në udhëtim,

Por drejt njeri-tjetrit kemi ngarë.

 

Dhoma hesht e rruga larg gjëmon

Ti sheh ëndrra kaltëroshe shumë

Unë, ndonëse pi dhe mogadon,

 

Mezi fle, se jam njeri pa gjumë.

 

Të kam pasur ëndërr çast e orë,

Ëndërr të trishtuar dhe të mirë

Po të jem vërtetë një Pitagorë

Ti je teorema më e vështirë…