Spanja shkarkon zyrtarisht trajnerin Julien Lopetegui

Julien Lopetegui nuk do të drejtojë Spanjën në Rusi 2018. Ajo që dëgjohej si thashetheme që në orët e para të ditës së sotme, tani është zyrtarizuar nga vetë presidenti i federatës spanjolle, Luis Rubiales, në një konferencë për shtyp.

Lopetegui u zyrtarizua një ditë më parë si trajneri i ri i Real Madrid dhe kjo ka qenë arsyeja që ka sjellë shkarkimin e tij para Botërorit, pasi drejtuesve të Federatës nuk u ka pëlqyer koha kur u bë publik ky vendim.

Ata dinin që kishte negociata mes palëve, por pritnin të kishin një bisedë me trajnerin para se të merrej vendimi përfundimtar. Kjo ka ndodhur pa dijeninë e tyre dhe ka sjellë në ndarjen mes palëve.

Në këtë situatë, Spanja mbetet pa trajner kur na ndan një ditë nga fillimi i “Russia 2018”, duke e dëmtuar rëndë ecurinë e kësaj përfaqësuese drejt fitores së trofeut, pasi ajo shihej si një pretendente për të siguruar atë.