Trump drejt çmimit Nobel për Paqe

Me një lëvizje diplomatike spektakolare dhe të paprecedente Trump arriti t’i marrë diktatorit të fundit komunist një marrëveshje për denuklearizimin e Koresë së Veriut.

Për herë të parë, udhëheqësi i botës së lirë, presidenti amerikan, ndërmerr një veprim të tillë për të takuar një personazh që ka shkelur të gjitha konventat e të drejtave të njeriut, duke shmangur të gjithë protokollet e deritanishme të Shtëpisë së Bardhë. Biles shkoi edhe më tej dhe e ftoi për vizitë në Shtëpinë e Bardhë, kuptohet nëse se Kim Jong do të zbatojë të gjitha pikat e marrëveshjes.

Fakti që Trump është një president jashtë establishmentit, që po vazhdon me nje këmbëngulje të habitshme të zbatojë të gjitha premtimet elektorale. Për Trump nuk ka shumë rëndësi se çfarë mendojnë të tjerët, por se çfarë mendon elektorati që e zgjodhi në këtë detyrë. Dhe faktikisht elektorati në Amerikë nuk mendon si shumë opinionistë me mediat e mëdha amerikane.

Nëse sot do të pyetësh një punonjës të industrisë së çelikut në Pensilvani, mbas vendosjes së tarifave të reja doganore, kuptohet që nuk mendojnë njëlloj si Trudeau i Kanadasë.

Si një ish-biznesmen i suksesshëm, Trump nuk i parapëlqen takimet shumëpalëshe, duke shprehur hapur bezdinë për to. Ai parapëlqen takimet dypalëshe, ku falë aftësive të tij negociuese ndihet shumë i fortë.

Do të mjaftojnë vetëm 5 sekonda për ta parë në sy Kimin, për të kuptuar nëse ai e ka seriozisht – deklaroi Trump.

Ështe kjo arsye që Trump nuk shpreh asnjë simpati për takimet e tipit G7, G-20, bile edhe për vetë OKB-në ai i konsideron këto formate obsolete, që po iu kalon koha.

Fakti i fundit kur Trump e sfidoi hapur samitin e G7-s, ku biles edhe e dështoi me mosfirmosjen e dokumentit final, dëshmon qartë bezdinë e tij nga këto lloj forumesh.

Po kështu, trump anuloi Marrëveshjen e Pacifikut TPP me 11 shtete aziatike, atë për tregtinë me Evropën, si dhe ka kërkuar rinegocimin e marrëveshjes NAFTA me Kanadanë dhe Meksikën.

Ai nuk vazhdoi me formatin e Koresë 5+1 (Kinë, Rusi, Japoni, Kore e Jugut dhe SHBA), por kërkoi takim direkt me Kim. Të njëjtën gjë bëri edhe me marrëveshjen 5+1 (SHBA, Britani, Francë, Gjermani, Rusi dhe Kinë) me Iranin, duke njftuar largimin e SHBA-së nga ajo.

Ajo që ai kërkon me të gjithë është diskutime dypalëshe që, sipas tij, janë shumë me efektive sesa me forume obsolete, që nuk arrijnë pothuajse asnjëherë të bien të gjithë dakord.

Trump synon që për zgjidhjen e problemeve globale të paqes botërore kërkohet një G3 me Kinën dhe Rusinë, që mund të sjellë rezultate shumë më efektive se gjithë formatet e deritanishme.

Sidoqoftë Trump e hodhi hapin e parë me Kimin, që mbas këtij takimi do ta ketë shumë të vështirë t’i shmanget detyrimeve, pasi në të kundërt ngelet vetëm një opsion- ai ushtarak.

Por shumë ekspertë mendojnë se kjo me Korenë ishte vetëm prova gjenerale, pasi shumë shpejt, mbasi të mbyllë dosjen koreane, Trump do të synojë të njëjtën gjë edhe me Teheranin.

Natyrisht që Irani nuk është Koreja e Veriut dhe është në qendër të shumë ekuilibrave jo vetëm në Lindjen e Mesme, por edhe globale. Por Trump, me sa duket, ka besimin se ne qoftë se arrin një marrëveshje të ngjashme me Iranin, ky mund të jetë një sukses i jashtëzakonshëm jo vetëm personal i tij.

Në një marrëveshje me Putin, që është edhe sponsor i Iranit, që ai po kërkon të takohet së shpejti dhe që beson se mund të rakordojnë në shume pika, mund të arrihet marrëveshje edhe për Iranin dhe kjo mund të sjellë një paqe në gjithë Lindjen e Mesme, që pa dyshim do të jetë një arritje shumë e madhe për gjithë paqen globale.

Natyrisht që këtë lloj politike diplomatike pa shumë kortezi të kombinar me kërcënime ushtarake të Trump nuk e pëlqejnë shumë aktorë të tjerë, sidomos Evropa, që shikon që nga takimet dypalëshe ajo është e përjashtuara e madhe, por edhe Kina dhe Japonia, që jane lënë jashtë skemave të Trump.

Sidoqoftë Trump vazhdon përpara me politikën e tij, duke i sfiduar të gjithë dhe gjithçka – aleatë, protokolle, kortezi diplomatike.

Por në qoftë se ai do të arrijë të sjellë paqen në gadishullin korean, që pa dyshim mund t’i hap rrugë bashkimit të tij dhe aq më tepër të arrijë edhe me Iranin, duke sjellë paqen në gjithë Lindjen e Mesme, pa dyshim që do t’i sjellë botës me këtë politikë të tij avantazhe shumë të mëdha të paqes dhe prosperitetit, që shumë presidentë amerikanë me emra të mëdhenj nuk kanë mundur kurrë.

Dhe nëse do të arrijë të zgjidhë çështjet e Koresë dhe Iranit, nuk ka patur të paktën në 30 vitet e fundit njeri që mund ta ketë merituar me shumë çmimin Nobel për paqen sesa Donald Trump.