U tha se kaloi nga PDIU tek PS/ Reagon deputetja Elena Xhina: Jam e pavarur

Nga Peshkopia, sot, deputetja e PDIU-së Reme Lala, deklaroi kalimin e saj tek grupi i PS.

Reme Lala i tha kryeministrit Edi Rama se ajo nuk do i bashkohej e vetme PS, pasi bashkë me të do bashkohej edhe deputetja tjetër e PDIU në Elbasan, Elena Xhina.

Por kjo e fundit ka reaguar përmes një postimi në Facebook, ku thotë se është pjesë e një grupi të pavarur deputetësh në parlamentin e Shqipërisë dhe nuk është pjesë e PS.

Statusi i parë i Elena Xhinës në Facebook:

Sot pata kënaqësinë të isha e pranishme në inagurimin e fillimit të punimeve të Rrugës së Arbrit, në Dibër e ftuar nga mikja ime Reme Lala, të cilën e falenderoj që më dha mundësinë që t’i bashkohesha dhe unë gëzimit të saj, për këtë ëndërr të vjetër të dibranëve!

Marr shkas nga titujt e gazetave për të bërë një sqarim për opinion publik: Unë jam në grupimin e deputetëve të pavarur të Parlamentit të Shqipërisë !

Ju faleminderit!

Statusi i dytë i Elena Xhinës në Facebook:

Meqenëse mediat vazhdojnë të pasqyrojnë gjerësisht lajmin se unë kam kaluar në grupin parlamentar te PS, më duhet të sqaroj edhe një herë se nuk kam bërë asnjë lëvizje të pozicionit politik dhe jam aty ku kam qenë.

Diçka të tillë e kam sqaruar edhe me anë të statusit të mëparshëm, gjithsesi për mua është e rëndësishme që situata ime politike të jetë e kuptuar qartë nga votuesit e mi të Elbasanit, të cilët janë interesi im i vërtetë!