“Vrasës”, “Imoral”, “Hajdut”,”Kriminel”! Çfarë i bënë komunistët priftit shqiptar?

Memoriali kushtuar martirëve shqiptarë, i ndodhur në oborrin e Katedrales së Shën Shtjefnit, Shkodër.

Ishte koha kur në Shqipëri doli një roman, i cili sot, pa asnjë dyshim mund të quhet “horror”. Titulli i tij ishte “Gjurmët çojnë në qelë”. Për ju që nuk e dini, qelë është vendi në të cilin jetojnë priftërinjtë.

Kur romani ishte në kulmin e vet, një gjyq famëkeq, si thuajse të gjithë gjyqet e asaj periudhe, u organizua në Shkodër, jo pse Shkodra duhej zgjedhur medoemos, por sepse Shkodra duhej frikësuar e nëpërmjet saj, si zemër e krishtërimit shqiptar, e gjithë Shqipëria.

Në bankën e të akuzuarve vendoset Dom Ejll Kovaçi me akuza:

Vrasës

Imoral

Hajdut

Kriminel.

Kjo ishte e dyta goditje që i bëhej katolicizmit në Shkodër, pas ngjarjes së bujshme të armëve të gjetura në Kishën e Shën Françeskut në G’juhadol, ku vetë polici që kishte shkruar procesverbalin e gjetjes së këtyre armëve, deklaroi se “vepra asht kenë organizue prej vetë neve.”

Por çfarë ndodhi me dom Ejllin? Përse u arrestua ai?

Iahte viti 1957 kur nga famullia e Komanit, dom Ejll Kovaçi, me kërkesë të Ipeshkvit të kohës, transferohet në famullinë e fshatit Qelez. Pak kohë më vonë, një vrasje trondit zonën dhe partinë. Ishte njëfarë Marku që u gjet i vdekur dhe, sipas fjalëve që në atë kohë qarkullonin, ai paska qenë agjent i sigurimit të shtetit. Ai u gjet i pajetë, pikërisht në vendin ku kishte kryer një krim pak kohë më parë.

Sigurimi i shtetit komunist, sigurisht, akuzon dom Engjëll Kovaçin për këtë vrasje, ndonëse ai qysh një ditë më parë kishte qenë në një udhëtim për në Iballë. Akt akuza nga prokuroria si dhe libri që përmendëm më lart ngarkojnë me përgjegjësi të drejtpërdrejtë famullitarin Kovaçi.

Akuza thoshte: Dom Ejlli, me anën e së motrës Angje, kishte ftuar në qelë operativin e sigurimit të shtetit, Markun. Por më parë kishte lajmëruar disa malësorë të cilët i kishin bërë pritë duke e vrarë. Sipas akt akuzës dhe librit, kufoma tërhiqet natën drejt vendit ku gjendet më vonë, gjithnjë me praninë e famullitarit.

Sipas dëshmive të sotme, fshatarët thonë se atë ditë kishin parë disa të tjerë sigurimsa, mes tyre edhe Kryetarin e Degës së Punëve të Brendshme të Pukës, Mehil Bilbilin. Sipas Ndoc Selimit, e gjithë kjo histori ishte një strategji e përgatitur mirë dhe një lojë në shërbim të rendit komunist dhe të diskriminimit të kishës katolike e barinjve të saj.

Libri kushtuar dom Ejll Kovaçit, me autor Fritz Radovani

Akt akuza përfshinte edhe diçka tjetër, më të madhe në ndyrësinë e vet: sikur prifti kishte marrëdhënie me të motrën. Në kulmin e torturave çnjerëzore, kur fryma akoma nuk i kishte dalë, por trupi ishte i vdekur, hetuesit me në krye Ilmi Saitin i marrin firmën përdhuni dom Engjëll Kovaçit.

Kjo ishte e gjitha, pastaj propoganda komuniste këtë deklaratë e përcolli deri në skutat më të largëta e deri te veshët më të shurdhët të njerëzimit, duke përgatitur një terren sa më të urryeshëm e sa më të besueshëm për eleminimin e mëvonshëm të klerit katolik shqiptar.

Motra e dom Engjëllit, duke mos mundur të mbajë mbi shpatulla një turp kaq të madh, proteston në sallën e gjyqit, duke e denoncuar këtë gjyq farsë si një mashtrim që i bëhej popullit në vazhdën e propogandës për eleminimin fizik të klerit e më vone edhe të fesë në Shqipëri.

Menjëherë, pasi jep atë firmë, dom Engjëlli dënohet me vdekje në moshën 28 vjeçare dhe pushkatohet pas tri ditësh për një krim që nuk e kishte kryer kurrë.