Vrasja e Fildez Hafizit, çështja kalon te Krimet e Rënda

Gjykata e Lartë i ka dhënë rrugë ngërçit të çështjes së vrasjes së gjyqtares Fildez Hafizi nga bashkëshorti i saj Fadil Kasemi.

Gjykata e Lartë ka vendosur që çështjen ta gjykojnë Krimet e Rënda.

Në datën 30 maj, Gjykata e Tiranës ja përcolli dosjen Gjykatës së Lartë, pasi ishte e paqartë mbi kompetencën për shqyrtimin e çështjes.

Të njëjtin problem më parë e kishte konstatuar edhe Gjykata e Krimeve të Rënda, e cila e kishte transferuar çështjen në Gjykatën e Shkallës së Parë, pas një vendimi të Gjykatës së Lartë.

Duke parë këto zvarritje, në një kohë kur afatet e paraburgimit kalonin duke rrezikuar lirimin e autorit të krimit, babai i gjyqtares së ndjerë i dërgoi një letër Presidentit të Republikës, ministres së Drejtësisë, kryetarit të Gjykatës së Lartë dhe ambasadorëve të SHBA dhe BE në vendin tonë, të cilëve u kërkonte vëmendjen dhe përshpejtim të procedurave, pasi vonesat rrezikonin lirimin e vrasësit të së bijës.

Por, fatkeqësisht dy ditë pasi shkroi këtë letër, Bynjamin Hafizi ndërroi jetë, pa marrë vesh nëse do të jepet drejtësi për vrasësin e të bijës.