Zaev dhe Tsipras nënshkruajnë marrëveshjen, Greqia ndizet nga protestat

Në Greqi, ndërsa në parlament debatohej lidhur me kërkesën e opozitës që ka paraqitur një mocion mosbesimi ndaj qeverisë për shkak të çështjes së emrit të Maqedonisë, në rrugët e Athinës kishin nisur protestat që degjeneruan dhe në dhunë.

Marrëveshja e arritur të martën që Maqedonia të mbajë emrin Maqedonia e Veriut, po kundërshtohet si në Athinë edhe në Shkup, por dy kryeministrat vendosën sot të hedhin dhe firmat mbi marrëveshje.

Në Greqi, protestues të shumtë kishin dalë sot dje dhe po vijojnë edhe sot në rrugët e Athinës, duke kënduar himnin kombëtar dhe duke valëvitur flamuj, për të protestuar kundër marrëveshjes së arritur mes udhëhedhëqësve grek dhe maqedonas, për të zgjidhur çështjen e emrit të Maqedonisë.

Protestuesit grekë, në mesin e të cilëve kishte edhe banorë të provincës greke që mban emrin Maqedoni, thanë se ndjeheshin të tradhëtuar nga qeveria.

Kryeministri grek Alexis Tsipras dhe homologu i tij maqedonas Zoran Zaev, ranë dakort më 12 qershor për emrin, pas një mosmarrëveshjeje 27 vjeçare. Çështja e emrit është bërë pengesë për pranimin e Maqedonisë në Bashkimin Europian dhe në NATO.