Aksi Lin – Pogradec i rëndon më shumë buxhetit, fond shtesë 194 milion lekë

Punimet në aksin Lin-Pogradec do të kushtojnë 194 milion lekë më tepër sesa ishte parashikuar në kontratën fillestare. Autoriteti Rrugor Shqiptar ka miratuar tashmë shtesën e fondit për firmën që është duke kryer punimet përmes një procedure me negocim, pra pa shpallje paraprake të njoftimit të kontratës.

Vlera totale e kontratës fillestare ishte rreth 972 milion lekë, ndërkohë që shtesa e fondit bëhet  për punimet që po kryhen në afërsi të hyrjes të qytetit të Pogradecit. Referuar të dhënave të Autoritetit Rrugor Shqiptar, ndërtimi i këtij segmenti është rreth 1 km, ndërsa është parashikuar zgjerimi i rrugës ekzistuese, nëpërmjet strukturës “Gjysmë tunel” ose “Tunel i hapur”.

Në përfundim të punimeve, gjerësia e korsive në këtë aks do të jetë 3.5 m, gjerësia e bankinës 1 m, ndërsa trotuari jashtë tunelit me një gjerësi 2 m.  Punimet në këtë aks kanë nisur në shkurt të vitit 2016 dhe sipas afateve të kontratës, duhet të përfundojnë në dhjetor të këtij viti, duke përmbyllur punimet në të gjithë aksin e rindërtuar Qafë Thanë-Pogradec.