MENU
klinika

Saga e ambasadorëve amerikanë

Kur PD përplaset me A(mbasadorët)merikën…

31.07.2018 - 15:53

Fundi i këtij muaji merr me vete edhe ambasadorin amerikan Donald Lu, të cilit i mbaron mandati i tij si përfaqsues diplomatik në Tiranë, nga ku do të udhëtojë për në Kirgistan ku është edhe emërimi i tij i rradhës. Emërimi i tij i menjëhershëm në një tjetër detyrë diplomatike e rradhit atë ndër të paktët diplomatë amerikanë që ndryshojnë post, pasi pjesa më e madhe e 9 ambasadorëve që kanë qëndruar në Shqipëri pas viteve ’90 kanë dalë në pension pas mandatit ose janë emëruar si zyrtarë të administratës së DASH në Uashington. Kështu pas Xheims Xhefrit i cili kaloi në misionin e jashtëzakonshëm amerikanë në Irak pas rënies së regjimit të Sadamit, Donald Lu është i dyti që emërohet në Kirgistan, ish republika sovjetike që tre vite më parë mbylli një bazë ushtarake amerikane, e cila shërbente për furnizimin me karburant të trupave amerikane në Afganistan.

Mund të thuhet se ambasadori Lu, krahasimisht me paraardhësit e tij ka pasur një nga sfidat shtetformuese më të rëndësishme për Shqipërinë: dekriminalizimin dhe reformën në drejtësi. Shqipëria tashmë është në pritje të celjes së negociatave për anëtarësim në BE dhe kjo padyshim që mbetet një rezultat domethënës që e rendit atë bashkë me ish ambasadorin Uithers gjatë mandatit të të cilit u hoqën vizat dhe Shqipëria u anëtarësua në NATO apo edhe ambasadorit Arvizu, gjatë mandatit të të cilit vendi mori statusin kandidat për t’u anëtarësuar në BE.

Ambasadori Lu do të mbahet mend edhe si ambasadori i parë amerikan që dhënë mesazhet e tij në shqip, duke hequr shpeshherë dhe dorezat diplomatike, për të fshikulluar politikanë e për të përmendur emra kriminelësh të shumëkërkuar nga drejtësia. Por kjo nuk e ka shmangur atë nga kritikat. Egocentrizmi i shqiptarëve si popull shkon deri aty sa të përpiqen të ngjallin besimin se axhenda e diplomatëve të huaj, e në veçanti ata amerikanë, është personale, sepse vetëm kështu ata mund ta përdorin për interesat e politikës se brendshme. Të bindur se kjo mbetet një strategji e mire politike, politikanët shqiptarë ende nuk kanë kuptuar këtu e 27 vjet se diplomatët sikurse kali në lëmë, mund të lëvizin brenda gjatësisë së litarit që përcaktohet nga qëndrimi politik zyrtar i Uashingtonit, thënë ndryshe i presidentit amerikan.

Traditën e “sulmit” të ambasadorëve amerikanë e vendosi kryetari i Partisë Socialiste në atë kohë, Fatos Nano, i cili e konsideronte ambasadorin Uilliam Rajerson si një ndër arkitektët e burgosjen e tij. Ndërkohë që në dallim Nano, ish kryeministri Sali Berisha ka ndjekur përherë një taktikë akuzimi sistematik të diplomatëve sa herë që qëndrimi i tyre binte ndesh me interesat politike të PD-së. Sa kohë që ambasadori Arvizu e quajti “burrë shteti” Berishën në krizën e vitit 2011, marrëdhëniet ishin të mira, por PS nga ana tjetër nuk nguroi ta godiste me media që qëndronin pranë saj, sikurse gazeta “Shekulli” e cila u etiketua nga ambasadori Arvizu si cellule anti-amerikanë, duke ndërprerë marrëdhëniet me të, për të parën herë në historinë e ambasadës amerikane në Shqipëri.

Ndërkohë kur Arvizu nisi të mbështeste socialistët pas ardhjes në pushtet, të paktën sikurse interpretohej nga demokratët komentet e tij të mëvonshme aspak vlerësuese edhe për punën e komisionit të famshëm parlamentar të ngritur për të hetuar ngjarjet e “21 janarit”, kursi i PD-së ndryshoi. Stuhia e akuzave nuk u përmbyll as në fund të mandatit të Arvizus. Deputeti demokrat Gent Strazimiri, që pas Berishës, kombinohej me Jozefina Topallin për lëshuar shigjeta në adresë të diplomatëve, shkruante në një postim në FB “T’ma gëzosh pensionin shoku Kolë!“– një ironi e pastër në adresë të një diplomati. Akuzave nuk i ka shpëtuar as ambasadori në largim, Donald Lu, për të cilin kryetari demokrat Lulzim Basha, tha se e ka hapur gojën për krimin vetëm pas zgjedhjeve të qershorit 2017-të.

Por a çon ujë vërtet në mullirin e demokratëve apo socialistëve përpjekjet për t’i bërë “figurë të keqe” diplomatëve?

Nëse nisemi nga supozimi se SHBA-të nuk kanë qëndrime fikse, të pandryshueshme atëherë me para lobimi mund të ndikohet në politikën e tyre. Vakancat e krijuara pas largimit të Tillerson nuk janë mbushur ende dhe duket se shpresa e opozitës që këto vende të nivelit të zv/ndihmës sekretarit që asistojnë zëvëndësat e sekretarit amerikan të shtetit, është të plotësohen me njerëz pro-Trump 100% , mundësisht anti-soros dhe anti-Rama. Por ajo çka palët duhet të marrin parasysh se për herë të parë, konjuktura politike euro-amerikane, mes gjithë ndasive që ka për cështjen e taksave, luftës tregtare apo edhe emigrantëve, ka mes të tjerash edhe një pikë të përbashkët konsensuale, ecurinë e Shqipërisë falë zbatimit të reformës në drejtësi.