Artan Mërgjyshi: Daliç vlerëson shqiptarët, të imponon respekt

Trajneri Artan Mërgjyshi, që ka drejtuar disa skuadra në kampionatin shqiptar, ndër ta edhe Dinamo e Tiranës, ka rrëfyer bashkëpunimin me Zlatko Daliç në vitin 2008.

Sot Daliç është trajner i Kroacisë, që do të ndeshet me Francën në finale, por ai ka drejtuar blutë kryeqytetas para 10 viteve. Mërgjyshi tregon raportet me Daliç dhe vlerëson profesionalizmin e tij…

“Daliç erdhi nga Kroacia në vitin 2008 te Dinamo dhe qëndroi për rreth 8 muaj, ku fitoi edhe Superkupën ndaj Vllaznisë. Unë sapo kisha nisur hapat e trajningut dhe ai më ndihmoi shumë. Një trajner që të impononte respekt, shumë profesionist, lexonte shumë literaturë.

Asokohe, e vetmja këshillë që kishte te Dinamo ishte organika, qoftë te futbollistët, qoftë në klub. U largua me shumë respekt nga Shqipëria, edhe mori, por mendoj se më shumë dha për Dinamon.

Uroj që të triumfojë. Kam ruajtur kontaktet me të, para dy vitesh më mori në telefon kur drejtonte një ekip në Arabi për të më pyetur për Allmuçën.

Ndryshe nga trajnerët e tjerë kroatë, ai është shumë i komunikueshëm dhe të imponon respekt, prandaj nuk habitem që Modriç, Mandzukiç e të tjerë shkojnë mirë me të. I çova sms dhe e urova, bëj tifo për Kroacinë vetëm për të” – u shpreh Mërgjyshi.