Bushati: Mposhtja e terrorizmit dhe parandalimi i faktorëve ideorë, sfidë për rajonin

Samiti i 29-të i Krerëve të Shteteve dhe Qeverive të vendeve të Aleancës së Atlantikut të Veriut u mbajt në selinë e re të NATO-s, më 11-12 korrik 2018. Si vend aleat, Shqipëria u përfaqësua me një delegacion të kryesuar nga Kryeministri, Edi Rama, me pjesëmarrjen e Ministrit për Evropën dhe Punëve të Jashtme, Ditmir Bushati dhe Ministres së Mbrojtjes, Olta Xhaçka.

Ashtu siç pritej, ky Samit u karakterizua kryesisht nga diskutimet e hapura dhe të drejtpërdrejta mbi domosdoshmërinë për të përmbushur vendimin e marrë në Samitin e Uellsit të katër viteve më parë, ku aleatët u zotuan që deri në vitin 2024 do të rrisin shpenzimet për mbrojtjen në nivelin 2% të prodhimit të brendshëm bruto.

Në kontekstin e Samitit, Ministri për Evropën dhe Punët e Jashtme Ditmir Bushati mori pjesë në takimin e veçantë të Ministrave të Jashtëm të vendeve anëtare të Koalicionit Global kundër të ashtuquajturit “Shtet Islamik”, thirrur nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës. “Mposhtja e terrorizmit në të gjitha format e tij, duke u përqendruar në parandalim dhe në adresim të faktorëvve ideorë mbetet një objektiv kyç për të gjitha vendet tona dhe një sfidë për stabilitetin e rajonit” – vuri në pah, Ministri Bushati.

Thellimi i bashkëpunimit mes NATO-s dhe Bashkimit Evropian, ishte gjithashtu në fokus të Samitit. Ky angazhim u rikonfirmua me nënshkrimin e një deklaratë të përbashkët mes këtyre dy organizatave, ku ritheksuan partneritetin e tyre strategjik si dhe angazhimin reciprok për jetësimin e bashkëpunimit në një numër të konsiderueshëm drejtimesh në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë, në përballjen e kërcënimeve hibride, sulmeve kibernetike dhe për të lehtësuar lëvizjen e trupave dhe mjeteve ushtarake në të gjithë hapësirën euroatlantike.

Në Samit u rikonfirmua rëndësia strategjike e rajonit të Ballkanit Perëndimor për sigurinë e Aleancës, si dhe e peshës në rritje të Shqipërisë, e shprehur si nëpërmjet shumëfishimit të kontributeve për operacionet e NATO-s, ashtu dhe politikisht, në vendimmarrje dhe në politikë-bërjen e Aleancës, sidomos në kontekstin e rajonit dhe Politikës së Dyerve të Hapura.

Rikonfirmimi i Politikës së Dyerve të Hapura të NATO-s ishte një nga elementët kryesorë të Samitit dhe me shumë rëndësi për rajonin tonë. Në emër të Aleancës, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg i dorëzoi Kryeministrit Zoran Zaev ftesën zyrtare për fillimin e bisedimeve të anëtarësimit, në vijim të arritjes të pak kohëve më parë së marrëveshjes për emrin mes Shkupit dhe Athinës.Gjatë Samitit, liderët e vendeve aleate u takuan me Presidentët e Ukrainës dhe Gjeorgjisë dhe riafirmuan mbështetjen e plotë për forcimin e mëtejshëm të bashkëpunimit të Aleancës dhe këtyre partnerëve.