Inati i Arabisë Saudite

Ka shumë vepra që ndërtohen dhe shkaktojnë shumë polemika midis shteteve sidomos në zonat kufitare. Kështu ndërtimi i mureve kufitare për të penguar emigracionin klandestin siç po bën Trump në SHBA, ose  gardhi i Orban në Hungari. Po kështu gardhi prej 360 milion dollarë që Estonia po ndërton në kufirin e saj për tu mbrojtur nga Rusia, megjithëse historia tregoi që as Muri i Madh kinez dhe as linjat e superfortifikuara difensive Maginot, Sigfried, Gotike, Mannerheim, nuk i mbrojtën ata që i ndërtuan pasi të gjitha u thyen.

Një aspekt tjetër janë ndërtimi i veprave hidrike që devijojnë lumenjtë dhe thajnë liqene me probleme të rënda për popullsine në vëndet fqinje siç bën Turqia me Eufradin me pasoja për Sirinë dhe Irakun, ose Etiopia me Nilin. India me ndërtimin e 45 digave mbi lumin Ind që irriton Pakistanin  e kështu me radhë.

Por që një shtet të ndërtoje një kanal për të ndërruar statusin gjeografik nga gadishull në ishull siç po synon të bëjë Arabia Saudite me Katarin kjo nuk ishte dëgjuar ndonjëherë.Si rregull ndodh e kundërta, që ishujt nëpërmjet ndërtimit të urave kthehen në gadishuj, por për herë të parë po tentohet që një gadishull të kthehet në ishull.

Ishte pikërisht A .Saudite që në 1986 inaguroi urën Fahd, 25 km të gjatë për të lidhur Bahrein me A Saudite dhe praktikisht e ktheu atë në një gadishull. Tani me Katarin kërkon të bëj të kundërtën.

Në fakt habia e të gjithëve është se në vend të një gardhi të sofistikuar është zgjedhur varianti i një kanali të vërtetë, biles lundrues.

Katari është një gadishull që futet në Gjirin Persik për reth 160 km dhe që kufizohet në kufirin toksor vetëm me Arabinë Saudite për rreth 60km.

Në fakt midis dy vendeve kohët e fundit ka patur konflikte të ashpra dhe kanë qenë në prag të një konflikti të armatosur. Duke qenë se Katari filloi të ndiqte një politikë të pavarur nga Mbretëria Saudite, sidomos duke mbështetur Vllazërine Myslimane dhe duke përmirësuar marrëdhëniet me Turqinë dhe vecanërisht me Iranin, A.Saudite vendosi ta nënshtrojë me të gjitha mënyrat.

Kështu, së bashku me Egjiptin, Bahrein dhe EAU i dërgoi nje ultimatum me 13 pika, ku i kërkohej Katarit që të ndryshonte gjithë politikën e jashtme, që nga ndërprerja e marrëdhënieve me Iranin dhe deri tek mbyllja e  stacionit televiziv  Al-Jazeera që dominon gjithë informacionin në gjuhën arabe.

Kuptohet që Katari nuk iu bind dhe A.Saudite i vendosi embargo duke prerë të gjitha marrëdhëniet dhe bllokoi cdo komunikim tokësor midis dy vendeve. Biles ndaloi edhe lëvizjen e gamiljeve që prej shekujsh lëviznin lirshëm midish dy vendeve.

Por Katari është një nga vendet më të pasura të globit me një GDP prej 358 miliard dollar dhe  128 000 dollarë të ardhura për frymë. Ai është prodhuesi më i madh botëror i gazit të lëngshëm me 77 milion ton dhe nuk është kaq e lehtë që ta nënshtosh.

Pas më se një viti bllokada ekonomike nuk ka dhënë rezultat. Ekonomia e tij vazhdon të rritet dhe ai as që do tja dijë për kërcënimet e Arabisë Saudite, aq më tepër që ajo është e angazhuar në luftën në  Jemen. Biles në mënyrë sfiduse kërkon të blejë edhe S-400 ruse për të bllokuar hapësirën ajrore të pjesës lindore te A.Saudite, dhe kjo e ka komplikuar më tej situatën.

Në këto kushte A.Saudite mori vendimin e çuditshëm për ndërtimin e kanalit .

Tashmë është hapur gara dhe disa kompani kanë paraqitur ofertat e tyre për ndërtimin  e këtij kanali brenda 1 viti. Kanali do të jetë 60 km i gjatë, 200 metra i gjerë dhe rreth 20 metra i thellë  dhe kuptohet që do të ndërtohet brenda territorit saud.

Vepra është parashikuar të kushtojë 745 milion dollarë.

Cfarë do të arrijë A.Saudite me ndërtimin e tij ?

Në fakt çdo komunikim tokësor midis 2 vendeve është i bllokuar edhe tani, dhe kjo nuk ka sjellë asnjë pengesë për Kuvajtin, biles përkundrazi ekonomia e tij vazhdon të rritet .

Shumë analistë perëndimor janë të mendimit se ky kanal nuk do të arrijë t’i krijojë probleme Katarit, por mbi të gjitha do të ketë vetëm një efekt psikologjik mbi të. Në fakt Katari është duke organizuar Kupën e Botës në futboll në 2022-in dhe është duke shpenzuar rreth 200 miliard dollarë në stadiume dhe infrastrukturë.

Natyrisht që  ideja e Katarit për t’i treguar gjithë botës një vend supermodern  do të kontrastohet nga ajo e një vendi që i ndërtohet një kanal izolues dhe që është nën  embargo nga gjithë vendet fqinje dhe që tani kanë shpallur bojkotimin e aktivitetit.

Në fakt me gjithë problemet që ka kjo botë, që nga varfëria e deri tek lufta kundër terrorrizmit, të haxhosh shuma të tilla për vepra të tilla për presione psikologjike është një luks i madh.

Por meqënese po flasim për një konflikt mes 2 shteteve më të pasura të botës, paratë nuk mungojnë dhe ky lloj luksi është i lejushëm.