Menu

Kultura që flë

Kultura, e vetmja gjë që gjatë verës flë…

26.07.2018

Ndërkohë që në faqet e ndryshme të internetit, portale apo webe televizionesh, shoh për të reja që lidhen me aktivitete kulturore, kalojnë dy apo tre ditë dhe asnjë i tillë nuk duket të ketë ndodhur në Shqipëri. Ka kohë që e bëj këtë rrëmim dhe vetëm tash në verë marr të tillë rezultate.

Nuk e di pse, por në verë duket sikur ftohet e gjithë kultura e vendit tonë. Ndërkohë që gëlojnë shkrimet me librat që duhen lexuar, thuajse në verë kjo është e vetmja gjë çfarë njerëzit munden dhe duhet të bëjnë, asnjë shkrim për asnjë libër nuk mund të gjendet.

Më duket disi paradoksal jo vetëm shembulli i listave të librave në raport me faktin që për libra nuk shkruhet, por edhe të tjera gjëra nuk janë më pak të tilla. Fjala bie, çështja e muzeve. Turistët mbushin muzetë aq sa nuk mbushen gjatë gjithë vitit, por askush nuk shkruan qoftë edhe një fjalë për to apo objketet që shfaqen aty.

Bibliotekat gjatë verës, herë pas here janë pushim pasi punonjësit, ashtu sikurse Kodi i Punës parashikon, marrin një periudhë të caktuar pushimesh, e cila, për faj të keqadministrimit, shpesh herë u jepet të gjithëve në të njëjtën kohë.

Qendrat kulturore shtetërore, vendore apo jopolitike nuk organizojnë asgjë. Sikurse duket, askush nuk do që të punojë në verë e për këtë arsye mendon edhe se askush nuk do që të ketë aktivitete për të ndjekur gjatë kësaj stine.

Vera merr trajtën e shabatit, ditës së shenjtë për hebrenjtë e cila përkon me të shtunën. Në këtë ditë, askush nuk bën asgjë e kështu të gjithë i besohen Zotit.

Po kultura jonë gjatë verës, kujt i besohet? Gjatë verës duket sikur kultura thahet aq shumë, sa vetëm disa gjethe që ja dalin të mbijetojnë krijojnë filiza për rilindjen që, me shumë vështirësi, ja del të ndodh gjatë shtatorit. Sa paradoksale: Në shtator kur gjithçka fillon e vyshket, kultura rilind!