Mandzukiç i shënon Anglisë në shtesë, Francë-Kroaci finalja e “Russia 2018” (Video)

Dramatike për Anglinë, historike për Kroacinë. Gjysmëfinalja Kroaci-Angli ka përfunduar 2-1 pas kohës shtesë dhe ballkanasit janë në finale të Kupës së Botës “Russia 2018”, për të diskutuar trofeun më 15 korrik ndaj Francës.

Goli i avantazhit për anglezët u shënua në minutën e pestë nga Trippier, pas një goditje perfekte pranë zonën së rreptësisë.

 

Anglia tregohet perfekte në goditjet standarte, pasi ka shënuar 9 gola në këtë Botëror.

Në pjesën e dytë janë kroatët ata që dominojnë totalisht, për të ardhur në minutën e 68-të, kur Perisic i vjedh kohën mbrojtësit anglez dhe pa faull barazon rezultatin.

 

Ndeshja hapet sërish, por Kroacia që luan më mirë dhe Perisic godet shtyllën. Zgjohet edhe Anglia, megjithatë raste më të shumta i ka ekipi ballkanas.

Mbyllet koha e rregullt 1-1 dhe sfida shkon në shtesë, e treta radhazi për Kroacinë, që fitoi me penallti kundër Danimarkës dhe Rusisë. Për Anglinë është ndeshja e dytë që shkon në shtesë, teksa fitoi me penallti ndaj Kolumbisë.

Në shtesë vendos goli i Mandzukiç në minutën e 109-të, teksa i vidhet bukur mbrojtjes angleze dhe i vetëm përballë portierit shënon. Anglia përpiqet në fund, por nuk ia del dot, teksa eliminohet sërish pas 28 vjetësh në gjysmëfinale.

 

Kroacia tejkalon parashikimet, duke u kualifikuar për herë të parë në finale të Kuës së Botës, kur në vitin 1998 kishin arritur të merrnin vendin e tretë.