Në Angli janë të bindur: Luka Modriç meriton “Topin e Artë”

Luka Modriç po udhëheq kombëtaren kroate në një sukses të jashtëzakonshëm, duke mbërritur tashmë në finalen e Kupës së Botës.

Mesfushori kroat, që luan për Realin e Madridit, është aktualisht një kandidaturë potenciale për të fituar “Topin e Artë”.

Pas ndeshjes me Rusinë, Modriç u pyet nga gazetarët në lidhje me fitimin e mundshëm të këtij çmimi prestigjioz individual, por u shpreh se për momentin ishte kombëtarja, ajo që i interesonte.

Por Luka Modriç duket se do të jetë kandidati kryesor, edhe nëse nuk e fiton Kupën e Botës me Kroacinë, në finale ndaj Francës.

Janë mediat, ato që i japin një dorë kandidaturës së tij si fitues i trofeut më të lakmuar personal, që në dekadën e fundit ka pasur vetëm dy emra, Messi dhe Ronaldo.

Është tabloidi prestigjoz britanik, Daily Mail, që në një editorial kushtuar Luka Modriç thotë se ai duhet të jetë patjetër fitues i “Topit të Artë” këtë vit.

“Fitimi i Champions League për herë të tretë dhe udhëheqja e Kroacisë drejt finales së Kupës së Botës është arritje e futbollit në 2018 dhe, për këtë, Modriç duhet të shpërblehet me Topin e Artë.

Kështu, do të ishte hera e parë që ky çmim do t’i jepej dikujt tjetër, emri i të cilit nuk është as Lionel Messi dhe as Cristiano Ronaldo, që e kanë fituar atë prej vitit 2008” – shkruan Daily Mail.