Në Finlandë, gjobat për tejkalimin e shpejtësisë në rrugë vendosen sipas xhepit

Rreth 3400 njerëz vdesin në aksidente rrugore çdo ditë, duke arritur në rreth 1.25 milion vdekje në nivel botëror çdo vit.

Një e treta e këtyre vdekjeve shkaktohen nga shpejtësia, sipas Organizatës Botërore të Shëndetësisë. Me aksidentet rrugore si shkaku kryesor i vdekjes tek të rinjtë, disa vende po shpikin mënyra inovative për të ndaluar rritjen e shpejtësisë në drejtimin e makinës.

Në Finlandë, gjoba për shpejtësinë lidhet me pagën. Finlandezët ndjekin një sistem “gjobëvënieje në baza ditore”, që llogaritet në bazë të të ardhurave ditore të disponueshme të një shkelësi – zakonisht paga e tyre ditore e pjesëtuar për dy.

Sa më shumë një shofer të jetë mbi limitin e shpejtësisë, aq më i madh është numri i gjobave ditore që do të marrë.

Në 2002, Anssi Vanjoki, një ish-drejtor në Nokia, u urdhërua të paguante një gjobë prej 116 000 eurosh (103 600 dollarë) pasi u kap duke ngarë motoçikletën e tij me 75 km/orë në një zonë ku lejohej 50 km/orë.

Dhe në vitin 2015, biznesmeni finlandez Reima Kuisla u gjobit me 54 000 euro (62 000 dollarë) për ngarje me 22 km/orë mbi limitin e shpejtësisë 50 km/orë.

Ndëshkimi progresiv

Finlanda nuk është i vetmi vend ku aplikohet i ashtuquajturi “dënim progresiv” për gjobat e tejkalimit të shpejtësisë.

Zvicra përdor një sistem të ngjashëm dhe aktualisht mban rekordin botëror për një gjobë të tillë. Një shofer suedez, në vitin 2010, u kap me 290 km/orë shpejtësi. Ai u gjobit me 3600 franga zvicerane në ditë për 300 ditë – rreth 1080000 franga zvicerane (1091340 dollarë) në total.

Mbretëria e Bashkuar paraqiti dënime më të ashpra në vitin 2017. Shoferët mund të gjobiten deri në 175% të të ardhurave të tyre javore, në varësi të rëndësisë së shkeljes. Megjithatë, shuma kufizohet në 2500 paund (3310 dollarë).

Ndërsa vendet evropiane udhëheqin lidhur me gjobat më të mëdha ndaj shpejtësisë, ato gjithashtu konfiskojnë makinat dhe burgosin shoferët.

Franca, Finlanda, Spanja dhe Gjermania kanë të gjitha ligjet që mund t’i dërgojnë përsëritësit e këtyre shkeljeve në burg.

Përtej gjobave

Ndërkohë që ndëshkimi është mekanizmi kryesor që shumica e kombeve përdorin për të dekurajuar shpejtësinë e lartë, disa vende po eksplorojnë mënyra më pozitive për të mbrojtur përdoruesit e rrugëve dhe për të nxitur ngarje të përgjegjshme.

Si pjesë e një misioni për të arritur zero vdekje nga aksidentet rrugore deri në vitin 2020, Suedia njëkohësisht përforcoi ligjet e saj të drejtimit dhe përmirësoi infrastrukturën rrugore.

Pothuajse gjysma e atyre që vdesin në rrugët e botës janë klasifikuar nga OBSH si “përdorues të cenueshëm të rrugëve”: këmbësorë, çiklistë dhe motoçiklistë.

Me këtë në mendje, Suedia ka ndërtuar më shumë rrethrrotullime, ka më pak ndërprerje, dhe automjetet nuk mund të kthehen aty ku njerëzit kalojnë rrugën. Janë ndërtuar më shumë ura për këmbësorë dhe biçikletat janë të ndara nga trafiku hyrës.

Në Mbretërinë e Bashkuar, ndërkohë, kompanitë e sigurimeve po përdorin teknologjinë për të inkurajuar ngarje më të përgjegjshme.

Sistemet e telematikës, të njohur ndryshe si regjistruesit e kutive të zeza, mund të instalohen në automjete për të monitoruar se si drejtuesi i makinës i jep asaj. Këto sisteme kanë në shënjestër shoferët e rinj, grup-mosha që zakonisht përballet me primet më të larta të sigurimit.

Duke pasur një kuti të zezë të instaluar pa pagesë, siguruesit ofrojnë zbritje në primet e tyre të sigurimit, qoftë përpara ose si pjesë e një sistemi shpërblimi për ngarje të mirë.

OBSH parashikon që globalisht aksidentet rrugore do të rriten gjersa më shumë njerëz në ekonomitë në zhvillim bëhen pronarë makinash. Qasjet inovative për inkurajimin e ngarjes së kujdesshme dhe dekurajimin e shpejtësisë së lartë do të jenë jetike nëse Agjenda e sapomiratuar për Zhvillim të Qëndrueshëm 2030 do të përmbushë synimin ambicioz të përgjysmimit të numrit global të vdekjeve dhe lëndimeve nga aksidentet rrugore deri në vitin 2020.

Burimi: World Economic Forum