Poliedriku i paçmuar, i pari në shumëçka, Atë Shtjefën Gjeçovi

Nuk mendoj se të flasësh për figurën e Atë Gjeçovit ka ndonjë rëndësi të madhe datëlindja e vendlindja, por të cituarit e tyre na tregon se qysh kur, në çfarë moshe, atë Gjeçovi filloi punën e tij si ndërtues i gjenezës së sa e sa disiplinave shkencore e shoqërore.

Pikturë e atë Shtjefen Gjeçovit nga atë Gjergj Fishta

Si sot, 144 vjet më parë daton dita kur lindi Shtjefën Gjeçovi në Janjevë të Kosovës. Studimet i kreu në seminare e kuvende të ndryshme, por më në fund u vendos në Troshan ku më 1896 kremton edhe meshën e parë. Vendoset si famullitar në qytete të Kosovës si Pejë e Zllakuqan dhe atje, vetëm dy vite pasi qe shuguruar prift, çeli shkollën e parë shqipe.

Ndonëse nuk shërbeu shumë kohë në Kosovë, nëse sot keni fatin të vizitoni ndonjë kuvend françeskanësh atje do të shihni se ai do të jetë i pranishëm në një mënyrë: Ose një pikturë e tij, ose një fotografi, një shprehje apo edhe një pllakë nderuese.

Atë Shtjefen Gjeçovi, pikturë në vaj nga Kolë Idromeno

Autritetet Kishtare e vendosin në Laç dhe me t’u shpërngulur atje, fillon punën për të çelur shkollën shqipe dhe ia del. Vetë punon si mësues, ndërsa materialet apo librat i siguron nëpërmjet mikut të tij Faik Domenik Konicës.

Faik Konica me veshje kombëtare

Viziton dhe shërben në shumë famulli dhe në çdonjërën prej tyre lë një shenjë, kryesisht duke çelur një shkollë. Por punën më të vështirë do ta ketë në Theth ku emërohet në vitin 1916, menjëherë pas epidemisë së kolerës e cila e kishte gjunjëzuar thuajse gjithë malin.

Dhjetë vjet më vonë, pas disa eksperiencave të tjera baritore, emërohet në Zym të Hasit ku edhe vritet pabesisht nga forcat serbo – malazeze. Sivëllai i tij françeskan Atë Lorenc Mitroviq mban në krah trupin e tij deri në kuvend. Të nesërmen varroset ndër varrezat e dëshmorëve, vend ku eshtrat e tij meritonin të preheshin.

Atë Shtjefën Gjeçovi me veshjen e ushtrisë austriake

Ai ishte i pari etnograf, i pari arkeolog, i pari jurist me vlera dhe një folklorist i shquar.

Ndërmerr qysh në moshë studentore një punim historik mbi Arqipeshkvinë e Tivarit prej të cilit sot gjenden vetëm gjashtëmbëdhjetë faqet e para. Botimet e para të Gjeçovit janë dymbëdhjetë poezi tek “Albania” e Konicës nën pseudonimin Lkêni i Hasit. Shkruan dramat Dashtunija e atdheut më 1901, Kushtrimi asé Mark Kuli Kryeqitas 1903, Shqiptari ngadhënjyes 1904, Princi i dy Dibrave asé Mojs Golemi 1904; Shqiptari ngadhënjyes, 1904; Katër të lumtun, asé Edipi i Shqipnis, 1926; një pjesë prej të cilave ende në dorëshkrim që gjenden në Arkivin Qendror të Shtetit

Përkthen dramat Atil Reguli. Dramë me tri pamje të Metastasit më 1905, që e boton më 1912; Vajza e Orleansit asé e Lumja Joana D’Ark përkthye nga A.F. Bergamo dhe botuar më 1915; Shna Ndou i Padovës i autorit N. Dal-Gal, 1912.

Shkruan, po ashtu, edhe novelat Mnera e Prezës 1902 dhe Rrafgime 1903. La pa botuar përkthime të sentencave të Sokratit, të romanit polak shumë të lexuar Quo vadis (1916) të Shenkieviçit dhe pjesëve nga ‘Scritti su Parga’ të poetit neoklasik italian Ugo Foskolo. Përveç kësaj, Gjeçovi na ka lënë si trashëgim gjithsej tridhjetë e tetë vepra origjinale ende të pabotuara, ndër to shtatë pjesë teatrore dhe disa tregime.

Botim i hershëm i Kanunit
Botim i vonë i Kanunit

Ai, gjithashtu, është edhe mbledhësi i Kanunit të Lekë Dukagjinit, të parit dokument me vlera historike e kulturore, por mbi të gjitha juridike në të gjithë historinë e Shqipërisë.