Pse po u griset zhguni e veladoni etërve të kulturës shqiptare?

Me Marin Beçikemin për të cilin keni lexuar sot, merr fund tërësia e etërve latinistë të kulturës shqiptare. Ato që përmenden ndër këto shkrime janë me origjinë shqiptare, disa të sigurtë e të tjerë të dyshimtë, por të gjithë kanë dhënë, sado modestisht, një kontribut për çështjen shqiptare. Dhe në mënyrë të shquar një kontribut në humanizmin evropian.

Historia shqiptare dhe studimet e kryera nga biografë e profesorë “të shquar” kanë lënë jashtë një fakt të pamohueshem i cili ndryshon fytyrën e këtyre personaliteteve të kulturës shqiptare të cilët pa asnjë dyshim janë shtyllat e kësaj pjese jetike të një kombi.

Rastësisht, si një dashamirës modest i letërsisë, më lind një pyetje tepër e pafajshme: Përse? Përse duhet të griset zhguni i françeskanëve dhe veladoni i këtyre priftërinjve për sa kohë këto figura me hapa galopant shtruan bazën e kulturës sonë?

Për periudhën e komunizmit, diçka kuptoj dhe jam dakord me një farë mungese të rolit klerikal që ata kishin si “don”, “dom”, “padër”, “atë”, “frat”, apo “monsinjor” ama pas komunizmit, kjo gjë është e papranueshme. Kush e ka thënë që nëse themi se ata ishin klerikë, u bie kontributi si atdhetarë, pasi kjo është teza që më shpesh kam dëgjuar.

Prandaj, miqësisht dhe përvujtnisht ju kërkoj që të mos përdhosni pa asnjë shkak figurën e njerëzve të mëdhenj të cilët atë çfarë kanë përfaqësuar, e kanë përfaqësuar si klerikë shqiptarë e jo si shqiptarë të pafe e të palidhur me Zotin!