RTSH i kundërpërgjigjet FSHF-së për Kategorinë Superiore

Radio Televizioni Shqiptar ka reaguar pas sqarimit të FSHF-së se Kategoria Superiore do të transmetohej me pagesë pasi oferta që kishte bërë  “DIGITALB” ishte më e vlefshme ekonomikisht.

RTSH ka treguar se sqarimi i FSHF-së është një mashtrim, pasi oferta që kishte bërë rrejti publik kishte qenë vetëm për një ndeshje në javë falas dhe jo për të gjithë kampionatin.

Sipas RTSH-së, FSHF nuk ka bërë ende publike as kush janë kompanitë e tjera që kanë bërë ofertë të ngjashme apo se sa kanë paguar, në shkelje të legjislacionit shqiptar.

POSTIMI I RTSH:

Edhe një herë, për të fundit herë…

RTSH informon publikun në lidhje me të drejtën televizive të Kategorisë Superiore për sezonet 2018-2022.

RTSH ka marrë pjesë në tenderin e të drejtave TV që FSHF ka shpallur ne muajin Prill të këtij viti duke ofertuar vetëm për paketën B të parashtruar në këtë tender.

Paketa B e hedhur në treg nga FSHF për eventin në fjalë, kishte të bënte me transmetimin e një ndeshjeje në javë pa pagesë, jo ekskluzive dhe pikërisht për këtë paketë ofertoi edhe RTSH, duke dhënë një shifër të barabartë që jep për ndeshjet e kompeticioneve të tilla si: Europa League, apo European Qualifiers (transmetimet “free”).

RTSH nuk u shpall fituese në këtë paketë B që konkurroi dhe nuk ka deklaruar kurrë se ka dhënë një ofertë më të madhe…

Edhe pse FSHF-së ju deshën dy muaj kohë për të shpallur fituesin e një tenderi me dy ofertues, edhe pse FSHF duhet të sqarojë publikun se kush është përfituesi i paketës B të tenderit, një pikëpyetje e madhe mbetet:

PËRSE FSHF parashtron në një tender një paketë të cilën nuk ka ndërmend ta shesë?!?! FSHF-në nuk e ndalon askush të bëj një tender për transmetimet “PAY” (me pagesë) dhe mos të bëj SHOW duke u përpjekur më së koti të tregojë se po luan “FAIR”.

RTSH nuk mund të konkurrojë (ende) në një tender të drejtash për transmetime me pagesë..

FSHF, më së paku, duhet të publikojë shifrën e shitjes të drejtave televizive që është një detyrim ligjor i saj, jo vetëm për të derdhur në buxhetin e shtetit 10% të vlerës (neni 32 i LIGJIT Nr. 79/2017 PER SPORTIN, Neni 36, pika 2), por edhe për të qenë transparente me klubet, për të cilat FSHF merakoset kaq shumë…

RTSH nuk ka ndërmend të merret me ligjshmërinë e një vendimi apo të organeve që kanë firmosur këtë kontratë të drejtash televizive (nëse janë apo jo të regjistruara në organet e drejtësisë), por do të vazhdojë përpjekjet për ta siguruar këtë të drejtë televizive.

Informojmë publikun që SHQIPËRIA është nga rastet e rralla në Botë që: Kupën e Republikës, apo Superkupën e vet, e transmeton me pagesë…!

RTSH ka blerë çdo të drejtë televizive sportive që administrohen nga FIFA dhe UEFA duke pasur marrëdhënie të shkëlqyera me ta dhe ndjen keqardhje që nuk ndan të njëjtat marrëdhënie me FSHF (ka 2 sezone resht që RTSH nuk e blen dot të drejtën TV të Kategorisë Superiore në FSHF), edhe pse ka ndihmuar si askush në promovimin e të gjitha aktiviteteve të organizuara nga ky institucion:

Kategorisë Superiore (15 vjet resht që e transmeton), Kategorisë së Parë (të vetmit në treg që ofertojmë dhe blejmë të drejtat televizive të një kategorie modeste), Kategorisë Superiore për moshat U-19, U-17, ndeshjet zyrtare dhe miqësore të gjithë përfaqësueseve të moshave femra dhe meshkuj…

Të gjitha këto, kosto të RTSH, me qëllimin e vetëm; edukimin e publikut me aktivitet sportiv, informimin e tij për veprimtaritë futbollistike.

Kërkojmë ndjesë publike që prishim atmosferën e një BOTËRORI spektakolar, jehona dhe mesazhi i të cilit shijohet pa pagesë jo vetëm në Shqipëri, por në gjithë Botën, dhe ndoshta kjo ka qenë arsyeja pse cilësohemi “zhurmues”…

FIFA ka një moto të shenjtë: FOOTBALL FOR ALL…!

Por kjo është FIFA…

RTSH ju uron shikim të këndshëm të:

FIFA WORLD CUP 2018, 2022

FIFA WORLD CUP CLUBS 2018- 2021

UEFA EUROPA LEAGUE 2018-2021

UEFA EUROPEAN CHAMPIONSHIP 2020

NATIONS LEAGUE 2018,2020 (ndeshjet e SHQIPËRISË)

EUROPEAN QUALIFIERS 2019, 2021 (ndeshjet e SHQIPËRISË)

WIMBLEDON 2018-2020

FORMULA 1 2018-2020

MOTO GP 2018-2021

EUROLEAGUE 2018-2021