Shkodra e Tinka Kurtit pa një kinema aktive

Nëse sot do të pyesim tim atë apo të tjerë moshatarë të tij për kinemanë e Shkodrës, pa asnjë dyshim ata do të thonë “Kinema Republika”, duke përdorur emrin e dikurshëm që ky vend ku ata kalonin momente të paharrueshme mbante të shkruar në qendër, aty ku sot, për fat të keq, shkruhet Bar – Kafe – Restorant – Piceri.

Unë nuk u vë faj. Ata përdorin emrin që Kinemaja kishte kur ishte funksionale, pasi me ardhjen e mileinumit të ri dhe “uzurpimin” e këtij mileniumi nga kinemaja si emër i saj, ky institucion i respektuar dhe shumë i frekuentuar në të gjithë botën, reshti së funksionuari si kinema dhe u kthye, për turpin e tij, në një Bar – Kafe – Restorant – Piceri.

Sigurisht, kjo është një ngjarje e palavdishme e cila duhet të tregohet për të të mos ndodhur edhe tjetër kund. Një Shkodër e cila ka nxjerrë “heronj” të mëdhenj të kinematografisë duke nisur qysh prej Tinka Kurtit, aktorja kryesore në të parin film shqiptar, sot ka kinema me një sallë që pikon ujë dhe me një oborr plot me tym qebabësh.

Tinka Kurti

Kinemaja që dikur mbushej plot me shikues kurioz të filmave, kryesisht propagandistik të prodhuar nga kinosdtudioja “Shqipëria e Re” është kthyer sot në një birrari mediokre ku të vetmet shfaqje në ekranin e madh janë ndeshjet e rëndësishme evropiane e botërore.

Sot Shkodra nuk ka një kinema në të cilën të shfaqen filmat që kandidojnë për Oskar e për këtë arsye, në Shkodër nuk mund të ketë njerëz që kanë një kulturë filmike të shoqëruar me emocionet që filmi jep, pasi është krejt ndryshe të shohësh një film në ekranin e vogël të laptopit në raport me të shikuarit e tij në ekranin e madh.

Mungesa e një kinemaje, në këndvështrim psikologjik krijon kushte të favorshme për krijimin e një brezi të vetmuar, pasi kinemaja, përposë shfaqjes së filmave është edhe vend bashkimi i të gjithë njerëzve të cilët më pas mund të diskutojnë diçka rreth asaj çfarë transmetohet.

Është mëkat që një qytet si Shkodra të lihet pa kinema. Por duhet të jemi mirëkuptues, pasi për fat të keq, Shkodra po kthehet ditë pas dite në një qytet petkash shenjtorësh që vishen nga mëkatarët më dëmsjellës.