MENU
klinika

Ditëlindja e legjendës

Kushta mbush 54 vjeç, dikur e kërkoi Barcelona…

17.08.2018 - 13:05

Sot është një ditë e veçantë për legjendën e futbollit shqiptar, Sokol Kushta. Ai mbush 54 vjeç, por është gati për të zbritur sërish në fushën e blertë. Dikush mund të thotë pse qenka legjendë Sokol Kushta?

Më poshtë do të përpiqemi të tregojmë të gjithë historinë për të. Ata që e kanë parë në fushë apo përmes ekranit asokohe, në vitet 80’, janë të bindur, por më shumë është për brezin e ri.

E dinit që Sokol Kushta është i vetmi emër shqiptar i shkruar ndonjëherë në listën e kandidatëve për “Topin e Artë”. Një emër që u ftua të vishte uniformën e ekipit të Barcelonës…

Kushta është ndër 10 shënuesit më të mirë të Kombëtares shqiptare. Triumfator në driblime. I papërmbajtshëm në shpërthimet e tij. Lindur për të fituar! Me atë që i solli këtij sporti, Sokol Kushta, është quajtur një legjendë e futbollit shqiptar.

Vlonjati i pajisur me dhuntinë e golit, ka bërë të lumtur tifozëri të tëra, duke filluar nga ajo e Flamurtarit në Shqipëri. Por talenti i tij çoi peshë edhe zemrat e tifozëve jashtë kufijve në vitet që luajti në shtetin grek dhe qipriot.

sokol kushta me kombetaren
Sokol Kushta me Kombëtaren në ndeshjen ndaj Gjermanisë

Një karrierë e tillë futbollistike ka nisur që herët në fëmijëri, kur Sokol Kushta ndiqte kurset sportive në Shtëpinë e Pionierit. Fëmija i mesëm i familjes Kushta, lindi në gusht të vitit 1964.

Asokohe një tip i hedhur dhe harrakat, ai e pa sportin si një mënyrë për t’u larguar nga shtëpia. “Nga klasa e 6-7 jam marrë dhe me atletikë, basketboll dhe disa sporte. Nuk kisha ide të qartë se do të bëhesha futbollist. Madje im atë e dinte që unë merresha me basketboll”, – tregon Kushta për fillimet e tij.

Talenti i tij u pikas nga trajneri i ekipit të futbollit, Besnik Elbasani. Ky i fundit e aktivizoi për herë të parë në Spartakiadën e Pionierëve, kur ai ishte në klasë të tetë.

Ekipi u shpall nën kampion i Shqipërisë dhe duket se që atëherë Sokol Kushta nisi të ushqehej me etjen për fitore. Zhdërvjelltësia dhe ego-ja me të cilën ai luante, e çuan para dy ofertave: ajo e Partizanit, për të vazhduar shkollën “Skënderbej”, ose atë të “Mjeshtërisë Sportive” në Durrës.

I joshur nga Partizani, ai u bë një skënderbegas dhe u aktivizua me ekipin e të rinjve të shkollës. Por një rebel si Sokol Kushta nuk mundi ta duronte rregullin e fortë të asaj shkolle për më shumë se gjashtë javë.

“Nuk më pëlqeu rregulli. Madje u largova si fshehtas para Kampionatit që do të zhvillohej në qytetin Stalin”, – rrëfen ai. Rregullat nuk i kanë pëlqyer asnjëherë Kushtës dhe kjo i sillte probleme në marrëdhëniet me trajnerët të cilët kërkonin futbollistë më të rregullt dhe të bindur.

Ai kujton në veçanti trajnerin Skënder Elmazi, i cili besoi në aftësitë e tij dhe e bëri pjesë të ekipit të të rinjve kur u kthye në Vlorë. Loja rezultative që bënte e nxori atë golashënuesin e të rinjve.

Ky fakt i siguroi një vend në skuadrën Kombëtare me ekipin e të Rinjve, në vitin 1980 për ndeshjen e Ballkaniadës që zhvillohej në Turqi.

Sokol Kushta me Shkëlqim Muçën

Vazhdimësia sportive e Sokol Kushtës hasi dallgë të mëdha për kohën dhe u vu në rrezik, sepse gjyshi i tij ishte një i arratisur. Ai kujton se karriera e tij nuk u ndërpre falë trajnerit që i kishte besuar sulmin e ekipit, Miço Ndini.

Ky i fundit këmbënguli së bashku me sekretarin e parë të Vlorës, që talenti i Kushtës, të mos humbiste.

Në Ballkaniadë vlonjati shënoi golin e parë me ekipin Kombëtar. Kohën nga viti 1978- 1981, Sokol Kushta e konsideron si periudhë trazire në karakter, sport dhe jetë.

Regjimin politik të atyre viteve dhe gjithçka që ndodhte në familje, filloi ta kuptonte atëherë kur doli jashtë kufijve me ekipin Kombëtar. Prej tipit “fluturak”, siç e quan ai veten, shumë njerëz menduan se ai do të arratisej.

Sigurisht që edhe ai vetë e mendoi, por sot gjykon se vendimi për të mos u larguar, ishte i drejtë. “Mbaj mend pak njerëz që janë larguar. Ikën jashtë shtetit dhe familjet e tyre u shkatërruan. Unë kam qenë shumë i lumtur që nuk jam arratisur”.

Ishte ende një djalosh, kur u aktivizua me ekipin e të rriturve të Flamurtarit. 17 vjeç luante kundër Vllaznisë, ndeshjen e tij të parë. Një përballje që përfundoi 3-1 në favor të vlonjatëve.

Golin e parë të karrierës me ekipin e Flamurtarit, duket se e mban si të shtrenjtë në memorien e tij. Dhe jo vetëm aty, por edhe në mesin e fotografive të vendosura në murin e lokalit të vet.

Një koleksion kujtimesh i golave dhe momenteve që kanë lënë shenjë në karrierën e Sokol Kushtës. Luante kundër bardhebluve të Tiranës ndeshjen e tij të dytë. Shpirti luftarak dhe etja për fitore i sollën këtë gjuajtje të parë në trekëndësh me fanellën e ekipit të lindjes.

Sokol Kushta me Sulejman Demollarin

E megjithatë, ai thotë së nuk ka qenë një lojtar që emocionohej. “Unë thjesht luaja. Ndeshjen e ndjeja vetëm kur fillonte dhe e lija tamam në minutën e fundit kur arbitri i binte bilbilit. Asnjëherë nuk kam pasur emocione para ndeshjes, apo se kundër kujt luaja”, – shprehet Kushta.

Nuk i bënte kurrë përshtypje se cilët lojtarë kishte si kundërshtarë. As kur ata kanë qenë më të mëdhenjtë e botës, si Marko Van Basten, Rud Gulit e të tjerë dhe këtë fakt e konsideron se i ka shërbyer për mirë në karrierën e tij. Nga viti 1984- 1987 mbajti veshur fanellën e kuqe të Partizanit.

Gjithnjë në shkëlqim, ai nisi udhën e fitoreve me këtë ekip. Shpesh i pabindur ndaj urdhrave të trajnerit apo drejtuesve por askush nuk këmbëngulte në zbatimin e tyre, sepse mungesa e tij në fushë do të thoshte më pak shpirt gare, më pak besim, më pak shpresë.

Por zemra e tij “ishte” në Vlorë, ndaj u largua pasi fituan titullin kampion për sezonin ’86-’87. “Më ofruan çdo gjë që të qëndroja në Tiranë, më thirri vetë ministri por prapë refuzova”, tregon Kushta kur u largua nga ekipi për të cilin gëzon gjithsesi shumë respekt. Vitet ’80 do të konsiderohen gjithmonë të “arta” për Flamurtarin i cili asokohe luante denjësisht edhe në Kupat e Europës. Ekipin vlonjat, fati e ka vënë katër herë përballë Barcelonës.

Një Barcelonë e fortë, por e mundur nga ai Flamurtar i madh me kontributin e Sokol Kushtës. E këtë, ai e kujton me krenarinë e një vlonjati: “Barcelona ka qenë dhe është një. Ka qenë gjithmonë e fortë dhe është gjithmonë e fortë. Por është Flamurtari ai që ka fituar kundër saj”.

Në 1987-ën, ekipi katalanas mundet në Vlorë nga goli i Kushtës, në minutën e ’15. Një kundërshtar i fortë në fushë, i shpejtë, agresiv, i mirë si me këmbë ashtu edhe me kokë. Ai padyshim ra në sy tek ekipi spanjoll, i cili e kërkoi në radhët e tij.

“Sot kur e kujtoj më duket si ëndërr që më ka kërkuar Barcelona. Vajti deri në Ambasadën tonë në Austri dhe më kërkoi zyrtarisht edhe privatisht që të rrija”.

Por regjimi i kohës deshi që talenti i tij të shfaqej vetëm në Shqipëri në ato vite. Viti 1987 është padyshim viti i tij. Nga gjuajtjet e Kushtës, atë vit nuk shpëtoi as porta e Partizanit të Beogradit.

Ishin minutat e fundit të ndeshjes, kur me një gol fantastik ai tronditi kryeqytetin e Serbisë, duke i dhënë mundësinë Flamurtarit të merrte një fitore historike.

Fitore që solli edhe eliminimin e Partizanit të Beogradit nga garat e Kupës UEFA dhe çoi peshë zemrat e gjithë shqiptarëve. Por çfarë sjell ndërmend autori i golit që shkatërroi ëndrrën e Partizanit për të ndërtuar atë të Flamurtarit?

“Në stadium ishin rreth 40 mijë spektatorë, jo të zjarrtë, por huliganë. Mes tyre një numër shumë i vogël shqiptarësh. Mund të ketë pasur edhe shqiptarë të Kosovës, por të gjithë kanë heshtur. Nuk guxonte njeri të festonte”.

Shpeshherë futbolli është parë më tej se një lojë, duke marrë ngjyrime politike. Ai thotë se shumë miq i kanë treguar vite më pas se njerëzit që festuan këtë gol në Kosovë, u arrestuan.

Ndryshimi i sistemit politik, i solli një aventurë të re Sokol Kushtës. Ai u largua për të “shpërthyer” edhe portat e ekipeve greke në vitin 1991. Ishte skuadra e Olimpiakosit që e ftoi të bëhej pjesë e saj, por me kërkesën që ai të luante si Vorio-Epiriot.

Me dëshirën për të qenë një patriot i denjë për vendin e tij, Kushta e refuzoi këtë kërkesë. “Më bënë dy herë ofertën, por doja të isha një patriot edhe me vepra, jo thjesht me fjalë. Ishte një gabim menaxherial që nuk pranova të luaja për ta. Dhe kur e mendoj, sot fama ime do ishte shumë e madhe tek Olimpiakos, si nga ana sportive ashtu edhe ekonomike”, – rrëfen ai.

Emri dhe talenti i Kushtës, u përmend për një kohë 4-vjeçare në Greqi, duke nisur me ekipin e Iraklesit. Një prodhues goli, që patjetër ra në sy edhe në kampionatin grek.

Por nuk janë vetëm golat dhe ndeshjet që ai ruan në memorie nga ato vite. Ajo që vlerëson Kushta ndër të tjera është se atë e respektuan edhe pse ishte një shqiptar.

“Kisha shumë miq grek, të cilët respektonin gjithashtu fenë time islame edhe pse nuk isha i devotshëm. Unë ndjehesha mirë dhe me kulturën e tyre ortodokse. E pranuan kombësinë time shqiptare dhe më respektuan për atë që jepja në sport”.

Emri i tij, u dëgjua më pas në kampionatin e shtetit të Qipros, ku nuk mund të qëndronte kurrsesi pa gjetur trekëndëshin me gjuajtjet e tij. Viti 1997 e ktheu në qytetin e tij, për ta mbyllur karrierën aty ku nisi gjithçka.

“Atë vit isha kapiten dhe golashënues. Ishim shumë larg vendit të dytë në kampionat. Por çdo gjë e bukur u prish nga rrëmujat. Dhe atëherë, ka qenë stadiumi plot, e mbaj mend mirë ”, – kujton vlonjati.

Futbolli është padyshim një dashuri për Sokol Kushtën, por kënaqësia më e madhe në jetën e tij është familja. Gëzon një martesë pothuajse 31-vjeçare, nga e cila kanë ardhur në jetë një djalë dhe një vajzë.

Studimet që ata po ndjekin nuk lidhen fare me sportin. Të dy fëmijët kanë preferuar të shërojnë njerëzit, me profesione si mjekësia dhe farmacia. I ati nuk e mohon se do të kishte dashur ta shihte të birin në fushën e blertë.

Sokol Kushta me të birin

“Do ishte absurde të thosha që nuk kisha qejf që djali të bëhej futbollist, por njeriu shikohet në ecuri. Në të gjitha fushat e jetës unë respektoj ecjen normale, jo atë të stimuluar”, – pohon Kushta.

Pas një emigrimi të shkurtër në shtetin grek, viti 2000 e riktheu përsëri në Vlorë për të ndihmuar të atin në biznesin e tij të ndërtimit. Ndihma financiare e Sokolit dhe mendja e një arkitekti siç ishte i ati në profesion, kanë krijuar sot disa biznese në qytet. E në fakt, angazhimin në botën e biznesit, Kushta e sheh si liri.

“Kam pasur një dëshirë të mos pres rrogën. Nuk doja një punë për të cilën paguhesh në fund të muajt. Dua të prodhoj dhe të jem i lirë. Mua liria më vlen shumë. Gjithmonë kam qenë dhe do jem njeri i lirë. Puna që kam krijuar është për t’i krijuar komoditet dhe arsim fëmijëve të mi”, – rrëfen ai me krenari.

Kontributin në sportin e futbollit, Sokoli e ka dhënë edhe si trajner. “Mu kërkua që të bëhesha trajneri i Flamurtarit, kur u ktheva në Shqipëri. Këtë gjë e pranova me shumë dëshirë, por ishte shumë larg idesë time të Flamurtarit.

Çdo gjë e mëparshme ishte shkatërruar dhe ishte ndërtuar tashmë në baza të këqija. Megjithatë punova, financova edhe vetë ekipin.Më pas m’u desh ta lija, jo sepse u lodha nga njerëzit por kishte humbur ndjenja e të punuarit mirë”, – shprehet me keqardhje.

Një makinë e vërtetë golash, Sokol Kushta ngriti lart futbollin shqiptar edhe në arenën ndërkombëtare gjatë karrierës së tij. E megjithatë, nga shteti ka marrë vetëm titullin “Mjeshtër Sporti” dhe asnjë lloj vlerësimi tjetër, por thotë se nuk i vjen keq për këtë.

“Unë thjesht kam sjellë ato që kam sjellë për këtë vend. Më vjen mirë që në çdo hap, ndez TV dhe del një gol i imi, del puna ime”. Gjithmonë i lidhur me fitimin, ai të kujton shprehjen e famshme “erdha, pashë fitova”, të Gjeneralit romak Jul Ccezar.

(Intervistuar nga Anxhela Lilja)