MENU
klinika

Serie A, Java I

Napoli përmbys Lazion në “Olimpico” (Video)

18.08.2018 - 22:40

Napoli e ka nisur shumë mirë kampionatin në sezonin e ri, duke fituar 2-1 në “Olimpico” ndaj Lazios, një sukses që erdhi me përmbysje, një gol në fundin e pjesës së parë dhe një në të dytën.

Sfida e mbrëmjes mes Lazio dhe Napoli premtonte spektakël dhe nuk ka zhgënjyer. Ishte Immobile ai që kaloi të tijtë në avantazh me një gol që premton të jetë më i bukuri i javës. Ai ka dribluar tre lojtarë përpara se ta dërgojë topin në rrjetë.

Por Napoli është kundërpërgjigjur në fund të pjesës së parë me polakun Milik. Pas pushimit ndeshja ishte e hapur dhe të dyja skuadrat mund të kishin shënuar në çdo moment, por ishte Insigne ai që gjeti rrjetën me një gol spektakolar në minutën e 59′.

Lazio tentoi gjithçka për të barazuar rezultatin duke dalë përpara dhe duke rrezikuar të pësojë golin e nokautit në kundërsulm, por nuk arriti të gjente golin dhe duhet të mësohet me faktin se e ka nisur me një humbje sezonin.

Napoli i Ancelotti-t do të jetë shumë i kënaqur me këtë fitore në këtë fushë të vështirë. Një ndeshje shumë e mirë për Hysajn në krahun e tij, ndërsa mirë është paraqitur edhe Strakosha, duke mos pasur faj në golat e pësuar.