MENU
klinika

Rekordi i Lionel Messit

Ngriti Superkupën si kapiten, askush si Messi me trofe…

13.08.2018 - 12:38

Pasi fitoi Superkupën e Spanjës kundër Sevilla-s, sulmuesi argjentinas Lionel Messi tashmë ka 33 tituj në “palmaresin” e vet, të cilët e bëjnë atë lojtarin me më shumë trofe në historinë e Barcelonës.

Me këtë rast, ai ka bërë edhe debutimin e tij si kapiten i skuadrës katalanase, pas emërimeve përkatëse të klubit përmes votimit të lojtarëve.

Deri më tani, rekordi i trofeve të fituar me Barcelonën nga Leo Messin kanë shkuar krah për krah me atë të Andres Iniesta, i cili u largua për në Japoni kësaj vere me 32 tituj nën emrin e tij.

Tani Messi mbretëron mbi të gjithë në “Olimpin” azulgrana, me 33 trofe. Ylli i Argjentinës ndiqet nga Iniesta (32 trofe), Piqué dhe Busquets (27); Xavi, i cili e mbylli fazën e tij si katalanas me 25 tituj dhe Puyol e Valdes, me nga 21 trofe.

Që nga debutimi i tij me azulgrana, 13 vjet më parë, Messi ka fituar 9 tituj kampioni në La Liga, 4 Liga Kampionesh, 3 Botërorë për Klubet, 6 Kupa Mbreti, 3 Superkupa Europiane dhe 8 Superkupa të Spanjës.

Në këto 13 vite si lojtar i Barçës, Leo ka regjistruar vetëm një pa trofe. Ndodhi më 2014, me Tata Martinon në stol. Një vit, kur ai ra, gjithashtu, në finalen e Kupës së Botës kundër Gjermanisë.

Ai është tashmë në gjurmët e Dani Alves, sa u takon trofeve të fituar në karrierë. Me 38 tituj, braziliani është lojtari me më shumë trofe në historinë e futbollit.