MENU
klinika

Komunizmi është i çuditshëm

Filozofi dhe sociologu i madh që komunizmi e eliminoi

09.11.2019 - 07:38

Komunizmi është i çuditshëm! Urren gjithkënd që ka sado pak dije dhe promovon çdo kënd që dijen e ka aq larg sa duhet ta kishte pranë.

E si e tillë, paranoja komuniste eleminonte të diturit dhe proklamonte injorantët. Ndoshta kjo ndodhte pasi të tillë duhet të ishin “Njerëzit e rinj socialist”!

Mes tyre ishte edhe një meshtar, prift i “Urdhrit të Fretërve Minorë”, françeskani e përvuajtur, filozofi i shquar i “Hyllit të Dritës” dhe sociologu i njohur, Atë Gjon Shllaku!

Atë Gjon Shllaku ishte i biri i Loros dhe Marë Ashtës; në pagëzim i vunë emrin Kolë. Ende i vogël hyri në kolegjin françeskan të qytetit, ku kreu filloren e gjimnazin e ulët. Më 23 maj 1917 u krezmua nga Dioqeza e Shkodrës. Në noviciatin e Troshanit hyri ditën e Shën Françeskut, më 4 tetor 1922. Kushtet e para rregulltare i dha më 5 tetor 1923, po në Troshan.

Më 13 shtator 1928 dha kushtet e përjetshme, duke ndërruar emrin dhe duke u quajtur kësodore Gjon. Kreu shkëlqyeshëm liceun “Illyricum” dhe kursin e filozofisë në atdhe dhe për studimet e larta u dërgua në Hollandë për teologji; siç ishte praktikë e atëhershme të dërgoheshin jashtë shteti.

U shugurua meshtar më 15 mars 1931. U dërgua nga Provinciali i atëhershëm françeskan, P. V. Prennushi OFM të vazhdonte studimet në Universitetin e Louvain-it, së pari në degën e shkencave dhe më tej në histori dhe filozofi. U doktorua në Universitetin e Sorbonës në Paris (1936-1937) për filozofi, me temën “Aktualizmi i G. Gentile”.

Mbas doktorimit kthehet në atdhe duke u përfshirë në trupën mësimore të shkollës që e përgatiti për universitet. Më pas, përveç filozofisë, mori përsipër të japë orë frëngjishteje.

I qe ngarkuar edhe drejtimi i “Djelmnisë Antoniane”, në të cilin merrnin pjesë, përveç nxënësve të liceut, edhe shumë nga ish-nxënësit e gjimnazit “Illyricum”, të rinj, profesorë, artistë, shkrimtarë, punëtorë e zanatçi të shquar.

Me pushtimin italian, për shkak të qëndrimit antifashist, u detyrua të largohet në Jugosllavi. Ktheu në Atdhe më 13 qershor 1940, mbas shumë ndërhyrjesh. Qëndrimi i tij si antifashist vazhdoi dhe me shfaqjen e ndikimit partizan dhe premisave që kishin për marrjen e pushtetit, P. Gjoni mban ligjërata në Kishën Françeskane në Gjuhadol.

Pas Luftës II Botërore e akuzuan për antikomunizëm, si themelues i partisë Demokristiane. E arrestuan gjatë ligjërimit në klasë, në janar 1946 pa nisur ende mirë lëndën e filosofisë. U mbrojt me të pandehurit e tjerë nga av. Muzafer Pipa. Në burg pësoi tortura të rënda.

Më 22 shkurt e dënuan me vdekje dhe më 4 mars 1946 e pushkatuan, së bashku me dy jezuitë: P. Giovanni Faustin dhe P. Daniel Dajanin, me Mark Çunin, seminarist dhe me disa laikë të tjerë. U varros në një vend të panjohur, jashtë varrezave katolike të Rrëmajit. Dëshmitarët thonë se fjalët e fundit që ka thënë ishin: “Lamtumirë m’i thoni shokve Françeskanë dhe të gjithë të njoftunve. Rrnoftë Krishti Mbret dhe Rrnoftë Shqipnija!”

__________________________________

Artikulli është ndërtuar mbi literaturat e mëposhtme:

“Beato Matiri Albanesi”, Emilia Flocchini

“Galeria e Artit të Martirizimit. Faqe nga tragjedia e Krishtënimit në Shqipni”, Atë Daniel Gjeçaj

“Vinçenc Prennushi me 38 shokë martirë”, Atë Leaonardo di Pinto