MENU
klinika

Prin Juve me 190 mln euro komisione

Serie A, 1 miliard euro në 5 vjet vetëm për agjentët

19.05.2021 - 11:30

Gjithmonë kur bëhet fjalë për merkato futbollistësh, shumat stratosferike janë kryefjalë e operacioneve. Pas këtyre shumave qëndrojnë dhe agjentët e futbollistëve, që përfitojnë shifra të mëdha nga kalimi i një futbollisti nga një skuadër në tjetrën.

Vitet e fundit, Serie A është shndërruar në një kampionat tepër të pëlqyer dhe një minierë ari për agjentët e futbollistëve. Mino Raiola është padyshim menaxheri që fshihet pas shumë transferimeve në Serie A, duke qenë edhe ai që ka përfituar më shumë financiarisht.

Në vitin 2015, agjentët e futbollistëve ndanë 84.4 milionë euro, ndërsa në vitin 2019, 188 milionë euro. Gjatë vitit të vështirë të pandemisë Covid-19, agjentët e futbollistëve përfituan në total 138 milionë euro.

Por kush është klubi që ka shpenzuar më shumë në 5 vitet e fundit? Sipas gazetës “La Repubblica”, Juventus është skuadra që ka ndarë më shumë para nëpër komisione. Bardhezinjtë kanë dhënë 190 milionë euro për agjentët që nga viti 2015 deri në 2020.

Pas tij pozicionohen kampionët e rinj të Italisë, Interi me 108 milionë euro. Vendi i tretë plotësohet nga Roma, me 103 milionë, ndjekur nga Milan me 94 milionë euro, Napoli me 53 milionë euro, Atalanta me 37 milionë dhe Lazio me 17 milionë euro.

Spezia është ekipi që ka paguar më pak agjentët, ndërsa para saj pozicionohen dy klubet që kanë rënë një kategori më poshtë, Benevento e Crotone me rreth 1 milion euro.

VAZHDO TË LEXOSH MË TEPËR PËR TEMËN


Tre ekipe të Serie A për 2 vende

Kombinimet, si mund të futen në Champions